Transparenca: Dragashi mbetet i parafundit!

Transparenca: Dragashi mbetet i parafundit!

Prizren, 19 prill 2017 – Sikur të mos ishte Mamusha, Dragashi do të mbetej Komuna e fundit për nga transparenca. Përpara Dragashit është edhe Komuna e Shtërpcës, e cila vlerësohet se ka më shumë transparencë se Dragashi. Kjo u bë e ditur nga OJQ “EC Ma Ndryshe”, e cila publikoi sot Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale, në kuadër të të cilit janë pasqyruar rezultatet për 13 grupe indikatorësh relevantë që tregojnë nivelin e transparencës gjatë vitit 2016, në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Mitrovicës, Rahovecit, Vushtrrisë, Malishevës, Suharekës, Klinës, Dragashit, Shtërpcës dhe Mamushës. Indeksi është lansuar gjatë një konference të mbajtur në Prizren, ku panelistë ishin drejtues të Komunave, aktivistë të shoqërisë civile, si dhe gazetarë nga ky regjion. Sipas asaj që publikoi drejtuesi i konferencës, Fisnik Minci, në Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale për vitin 2016, figuron se Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës përbëjnë grupin e parë të komunave transparente, me 66 përqind të vlerësimit të përgjithshëm. Pas tyre radhiti Pejën dhe Gjilanin, me 51 përkatësisht 50 përqind, të pasuara nga Mitrovica me 47 përqind, Ferizaj me 43 përqind dhe në fund ishte Prizreni, me 39 përqind.
Tek Komunat që nuk janë qendra rajonale prijnë Rahoveci dhe Vushtrria, me 48 për qind, pastaj Malisheva me 43, Suhareka 42, Klina 41, Shtërpca 37, Dragashi 31 dhe Mamusha me 26 për qind. “Transparenca në luftimin e keqpërdorimeve, prokurimin publik, menaxhimin e pronës komunale, pastaj në planifikimin urban dhe monitorimin e projekteve urbanistike, mbeten sfida të rëndësishme për Komunat. Grupet e indikatorëve që janë monitoruar dhe mbi të cilat është shkruar Indeksi janë: kryetari, drejtorët dhe anëtarët e Kuvendit, organizimi dhe funksionimi, puna e organeve politikëbërëse dhe vendimmarrëse, luftimi i sjelljeve të pahijshme dhe keqpërdorimeve, integrimi evropian, kontabiliteti dhe buxheti, kontratat e prokurimit publik, furnizimit dhe granteve, të punësuarit në administratën publike dhe organizatat e institucionet publike, pasuria kapitale dhe jokapitale, informimi dhe shërbimi i qytetarëve, etj. Ky projekt është iniciuar nga maji i vitit 2015 dhe i njëjti ka shtrirje në komunat e sipërpërmendura. Projekti në fjalë ka për qëllim që t’i asistojë komunat në identifikimin e mangësive kryesore, sa i përket transparencës, si dhe të ofrojë udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre”, tha Fisnik Minci.
Se sa janë transparente komunat e tyre dhe me çka ballafaqohen në këtë drejtim, folën Dardan Sejdiu dhe Mimoza Kusari – Lila, si dhe përfaqësues të komunave tjera.