Kërkohet më shumë bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe medieve!

Kërkohet më shumë bashkëpunim mes pushtetit lokal dhe medieve!

Prizren, 18 shtator 2017 – Misioni Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë (OSBE), ka organizuar sot në Prizren punëtorinë “Ndërlidhja e pushtetit lokal dhe medieve në rajonin e Prizrenit”, me synimin që të lehtësojë dhe promovojë përvojat më të mira të komunikimit ndërmjet medieve dhe institucioneve komunale dhe të forcojnë bashkëpunimin e tyre drejt një administrate publike më transparente dhe llogaridhënëse.
Punëtoria e sotme ofroi një mundësi të mirë për diskutim dhe shkëmbim përvojash mes gazetarëve dhe pushtetarëve lokalë nga ky regjion, ku i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi nga Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, i cili sqaroi se cila është mënyra më e mirë e raportimit profesional dhe të saktë në nivelin lokal, si dhe cila është mënyra më e mirë e transparencës që duhet ta kenë administratat e Komunave.
Të pranishëm në këtë punëtori ishin edhe zyrtarët nga Komuna e Dragashit, Selami Sahiti dhe Uzair Hamza, si dhe drejtori i shtëpisë sonë informative, Beqir Beqaj. Ky i fundit paraqiti gjendjen aktuale që ndodhet në administratën e Dragashit, ku tha se në këtë Komunë asnjëherë nuk ka pasur një zyrtar adekuat për informim dhe se shumë ngjarje që zhvillohen në këtë komunë kalojnë pa u përfillur nga media. Në këtë punëtori nuk mori pjesë askush nga Komuna e Mamushës, e cila njihet për nga performanca më e ulet në rajonin e Prizrenit, në çdo aspekt. Në fund të kësaj punëtorie u konkludua që të hartohen sa më parë planet e veprimit nga secila Komunë, në lidhje me transparencën, e cila është e obliguar me ligj.

Leave a Reply