Familja shqiptare që strehon edhe fëmijë serbë!

serbi strehohet tek shqiptaretGjilan, 22 nëntor 2013 – Kanë kaluar tre vjet që kur është braktisur nga prindërit e tij biologjikë me nacionalitet serb. Pak javë pas lindjes ai është kërkuar për strehim në një familje shqiptare, e cila ka vendosur të kujdeset deri në adaptimin e tij.
Trevjeçari A. po rritet bashkë me dy motra më të vogla se ai në moshë njëra tre muajshe e tjetra një muaj e gjysmë që janë të nacionalitetit shqiptar, po ashtu sikurse ai të braktisura. A. i quan kryefamiljarët e familjes Hamdiu nga Zhegra e Gjilanit, Azizin dhe Alijen, nënë e baba. Ky çift, i cili ka dy djem në moshë të rritur, që nga viti 2009-të merret me strehimin e fëmijëve të braktisur. Janë nëntë fëmijë që kanë përfituar nga humaniteti i tyre dhe gjithsej 40 familje të tilla në gjithë Kosovën që po strehojnë fëmijët e braktisur. Azizi, tregon se nacionaliteti i djalit nuk i ka penguar as atij, as bashkëshortes dhe as djemve të tij. “Ne që nga fillimi e kemi ditur që A. i përket nacionalitetit serb dhe kjo gjë nuk na ka penguar aspak. Ne nuk bëjmë asnjë lloj dallimi për fëmijët që i strehojmë, pa marrë parasysh se cilit nacionalitet i përket.
Djali tash i ka tre vjet e gjysmë dhe ne jemi lidhur shumë me të”, tregon Azizi. Këta prindër kosovarë çdo ditë e presin me ankth se kur do të dalë dikush të adaptojë djalin. “Djali tash është rritur dhe është mësuar me neve dhe na donë shumë, por edhe ne e duam shumë. A., djemtë e mi i thërret “abej” dhe është shumë i lidhur, që të dy djemtë e mi e duan shumë vogëlushin”. Azizi me të gjithë fëmijët që i ka pasur në shtëpinë e tij për strehim, sipas punëtorëve socialë në komunën e Gjilanit ka qenë i lidhur. Vetë Azizi e ka të vështirë të harrojë largimin e vajzës së parë nga shtëpia, që e kishin strehuar kur kishte tre javë dhe ishte larguar nga shtëpia për adoptim kur mbushi 11 muaj. Ligji, i cili ua ndalon familjeve strehuese që të adoptojnë fëmijë, e ka kufizuar Azizin që këtë vajzë ta birësojë. Bashkëshortja e Azizit, Alija, e cila është edhe iniciatorja e gjithë kësaj çështjeje, thotë se mundohen që këtyre fëmijëve të mos i mungojë asgjë. Të dy bashkëshortët deklarohen se derisa të kenë shëndet të mirë do të vazhdojnë të strehojnë fëmijë të braktisur.
Ndonëse, shuma e të hollave që iu jepet nga institucionet për mbulimin e të gjitha shpenzimeve (150 euro në muaj) nuk mjafton ata kanë vendosur të përkujdesën për këtë kategori të fëmijëve. Të braktisur nga prindërit biologjikë menjëherë pas lindjes nëpër spitale të ndryshme të vendit, 75 fëmijë të braktisur u janë dorëzuar 40 familjeve kosovare për strehim disamujor. Në Kosovë ekziston edhe Organizata Lëvizja e Familjeve (OLF), dhe të gjithë anëtarët e saj janë familje strehuese. Udhëheqësi i OLF-së, Njazi Kryeziu që në familjen e tij strehon fëmijë të braktisur thotë se kërkesë kryesore e kësaj organizate është që të rritet shuma e të hollave mujore për kokë të fëmijëve.
Ai thekson se komuna e Gjilanit është ajo që prin me numrin më të madh të familjeve strehuese. Në këtë komunë janë gjashtë familje që strehojnë fëmijë të braktisur, ndërkaq vetëm në fshatin  Zhegër janë tri familje. Familjet e këtij qyteti kanë strehuar fëmijë nga Vitia, Kamenica e Ferizaj, si dhe ka familje që fëmijët i kanë të strehuar nga Vranja e nga Bujanoci. Komuna e Prishtinës, ndonëse është qyteti më i madh dhe kryeqyteti ynë, ka vetëm dy familje strehuese. Sipas drejtorit të Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale në komunën e Gjilanit, Beqir Selmani, problem kryesor mbetet mosautorizimi i institucioneve serbe për adoptimin e këtyre fëmijëve në Kosovë.
Selmani ka treguar për gazetën “Zëri” se i kanë provuar të gjitha mundësitë në Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Vranjë apo edhe në Bujanoc që të marrin autorizimin për procedurën e adoptimit të këtyre fëmijëve, apo edhe kthimin në këto vende. Ai thekson se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.  “Njëri prej këtyre fëmijëve e ka nënën serbe dhe ka ardhur këtu ka lindur fëmijën dhe e ka braktisur derisa ata dy fëmijët e tjerë janë nga prindërit shqiptarë të Bujanocit. Ne kemi kontaktuar disa herë me qendrën për punë sociale qoftë në Vranjë apo Bujanoc, kemi kërkuar nga ata që të na lejojnë apo autorizojnë që për këta fëmijë t’i fillojmë procedurat e adoptimit, që ne të përfundojmë adaptimin, pasi kërkesa për adoptim kemi mjaft”.
Selmani thekson se përfaqësuesit institucional serb as nuk vijnë që t’i marrin këta fëmijë, dhe as nuk autorizojnë që të fillohen  procedurat për adoptim. Sipas tij lidhur me këtë çështje është njoftuar edhe EULEX-i dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Mehat Berisha, shef i shërbimit social në qendrën sociale në Gjilan thotë se rastet më të shpeshta që i braktisin fëmijët e tyre janë vajzat e reja.
“Shumica e nënave që i braktisin fëmijët e tyre janë të moshave të reja dhe shumica e tyre deklarohen se nuk e dinë se kush është babai i fëmijës”. Berisha ka treguar se ka raste edhe kur keqkuptimet ndërmjet një çifti bashkëshortor bëjnë që nëna ta braktisë fëmijën edhe pa dëshirën e saj. Familjet kosovare strehojnë fëmijë edhe me nevoja të veçanta. Çifti Shahë dhe Fahri Sinani nga Fushë Kosova kanë bërë strehimin e fëmijës së braktisur me nevoja të veçanta. Me dy nëntor mbushen plot 8 vite, që ajo jeton me ta. Tash F., është dërguar në shkollën “Përparimi” për fëmijë me nevoja të veçanta.
“Herë pas here kur ka trajnime në “Handikos” unë e dërgoj dhe aty”, thekson Shaha. Sipas saj, vajza është shumë e shoqëruar edhe me fëmijët e vëllezërve të saj, po ajo tregon që edhe fëmijët e saj biologjik, që i ka katër fëmijë kujdesen mjaft shumë për të. (Zëri)

  1. Gersi Xhafa 19/12/2017, 19:03

    Mendoj se kane bere shume mire qe i kane strehuar ata sepse edhe pse shumica e shqiptareve i ”urrejne”serbet (per shkak te nje loje te kote) ky cift ka gjetur miresine dhe dashurine kurse femijet kane gjetur me ne fund familjen e ngrohte per ta

Leave a Reply