Familjaret nuk distancohen – S’ka si Lavdërim Muhaxheri!


lavderim muhaxheri xhihadKaçanik, 31 korrik 2014 – Një ditë pasi një fotografi e të birit tmerroi botën, dera e shtëpisë së Kjani Muhaxhirit në periferi të Kaçanikut ishte e mbyllur pothuajse gjatë gjithë ditës. Prindërit dhe dy vëllezërit thonë se nuk janë aty.
Përreth oborrit bëjnë pothuajse roje axhallarët dhe kushërinjtë. Në shtëpinë e Lavdërim Muhaxherit, të afërmit preferojnë më tepër t’i përgjigjen me heshtje aktit makabër. Ata e pranojnë që fotografia, ku vërehet një i mitur me kokë të prerë në duart e Muhaxherit, nuk është e rreme. Madje kanë edhe arsyetimin për të. Janë xhaxhallarët, ata që shpjegojnë se, pse ai i preu kokën një njeriu. Axha i tij, Kadri Muhaxheri, thotë se nuk është ndier mirë. “Por, kjo është luftë. Çka t’i bësh. Edhe këtu ka pas luftë, çka nuk ka ndodhë. Kanë pre koka e gjithçka”, thotë ai në një reportazh të realizuar për Radio Kosovën nga gazetaret, Serbeze Haxhiaj dhe Beriana Mustafa.
Kjo fotografi, nuk është se i ka bërë të ndihen mirë, por ata e dinë se përse Lavdërimi ka ardhur deri tek ky moment morbid. Në versionin e tyre, viktima pa identitet nuk është një i mitur, por bëhet fjalë për dhunuesin e një femre. Në kasaphanën e Sirisë edhe dhunimi i femrave po përdorët si armë lufte. Më tej ata këpusin fijen e shpjegimit. Nuk japin detaje të tjera, përderisa fotoja e ka përçuar tmerrin. Megjithatë nuk është vështirë të shpaloset ndjesia për të nipin. “Djalë më të mirë në Kosovë nuk ka”, thotë Kadriu. Ajo që shihet në qenësinë e tërë anëtarëve të familjes, është një raport mirëkuptimi për veprimet e tij, në zemër të së cilave është “lufta për Xhihad”. Në asnjë mënyrë, ata nuk duket se kundërshtojnë veprimet e tij, asnjë gjë që ai e ka bërë deri më tani. ”Është zgjedhja e tij. Ai nuk e ka bërë për pare, sepse nuk është që i ka pasur punët keq në aspektin material”, thotë axha i tij, Kadriu.
Në këtë zgjedhje rrugësh për tek konfliktet, ku prerja kokës është një opsion, te Muhaxherët nuk ka distancim. Të paktën jo haptas.
Prej janarit të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës ka hapur hetimet ndaj Lavdërim Muhaxherit për organizim të grupeve që shkojnë në konflikte jashtë vendit dhe pjesëmarrje në aktivitete të terrorizimit. Por, familjarët e Muhaxherit që publikoi një video, ku shihej tek po e griste pasaportën e Kosovës diku në “tokat e Shamit” nuk i besojnë sistemit të drejtësisë në vend. Sipas tyre “në Kosovë nuk mund t’i besosh gjyqësisë”. Ky pohim mohues bëhej saktësisht në orën kur fotot e Lavdërim Muhaxherit e kishin shtyrë presidenten të mbledh në Prishtinë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Megjithatë, që prej një viti kur, sipas tyre, Lavdërimi iu bashkua luftës në Siri, ata janë të vetëdijshëm se gjërat kanë ndryshuar shumë për ta. Por, thonë se nuk bëhet fjalë krejt për të keq. Madje konsiderojnë se janë familje e respektuar dhe se njerëzit i duan. Ata nuk e mohojnë që djaloshi 25 vjeçar që ka të kryer vetëm shkollën e mesme, të ketë shumë shokë. Disa nga ata, sipas tyre, janë atje, pas tij. Në shpjegimin e tyre, Xhihadi po e tërheq ngadalë armatën nga Kosova, rekrutët më të shumtë të të cilit thuhet se janë po nga kjo anë. Ata flasin për një rrugë të shkurtër të Lavdërim Muhaxherit, prej një të riu të zakonshëm në Kaçanik, që kur ndihmonte të atin në tregtinë me pemë e perime nëpër tregjet e Kosovës, deri tek përfshirja e tij në tregun botëror të Xhihadit, nën simbolin e “Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë” (ISIS). Përcaktues për këtë zgjedhje të tij, thonë se ishte koha kur ai po punonte në një bazë amerikane në Irak. Ata i bien me ngulm idesë, se ai nuk ka punuar në bazën ushtarake amerikane (Bondsteel) në Kosovë. Por, thonë se ai ka pasur shumë miq amerikanë në Kosovë, të cilët, madje i kanë ndihmuar atij që të shkoj në Irak. E gjithë kjo, sipas familjarëve, ka nisur në Irak, aty ku ai punonte për amerikanët. Por, familjarët hezitojnë të tregojnë se çka punonte.
Familjarët e mbyllin me kaq rrëfimin për këtë kapitull kohor. Sipas numërimit të tyre kalendarik, Lavdërim Muhaxheri ka vetëm një vit që i është bashkuar kësaj lufte. E kjo luftë e tij, duket e pakuptimtë për shumë banorë të Kaçanikut.

Çfarë thonë banorët e Kaçanikut?!

Një ditë pas, qyteza lindore e Kosovës shfaq tronditjen nga fotot e Muhaxherit. Njerëzit e quajnë hapur krim monstruoz, pavarësisht rrethanave apo shpjegimeve. Ajo që më nuk e fshehin, është se rrjetet që po i rekrutojnë ata kanë rrënjët në radikalizëm.
Një pjesë e atyre që e kanë njohur Lavdërim Muhaxherin, thonë se ende është e vështirë të kuptojnë se përse ai dhe të tjerët si ai, e zgjodhën këtë rrugë. “Kjo nuk mund të pranohet, është e tmerrshme. Asnjë element i fesë nuk lejon krimet tilla”, thotë një komshi i familjes Muhaxheri në Kaçanik.
Ka edhe ndonjë që beson se lufta e tyre mund të jetë e drejtë. ”Mendoj që e kanë me të drejtë”, thotë njëri prej tyre. Të tjerët, besojnë se bëhet fjalë për ideologji vrasëse që kanë bazën në dhunë dhe krim. “Unë mendoj që njerëzit si Lavdërimi, paguhen. Ekziston papunësi e madhe. Mendoj që këta po financohen nga grupe terroristë. Unë për vete, po të ishte për Palestinën, kisha shkuar të luftoj nesër. Por, për ISIS në Siri e Irak, kurrë”, thotë një i ri tjetër që nuk dëshiron t’i përmendet emri.
Në këtë mënyrë, duket se pengesa kryesore për Lavdërimin dhe luftëtarët si ai, është që ideologjinë e tyre nuk e ndajnë shumica e të tjerëve në Kaçanik dhe përtej.
Nëse domosdoshmërish janë përcaktuar të ndjekin rregullat e islamit, në mënyrën siç i predikon ISIS, e që natyrshëm shpien në dhunë, në Kosovë ata i pret përballja me gjyqin. Sipas ligjeve të Kosovës, këto grupe duhet t’i përgjigjen drejtësisë. Sidoqoftë “drejtësia hyjnore”, kauza për cilën ata po thonë se po luftojnë, po flet përgjakshëm, çdo ditë e më tepër.