Safet Kushi: “Po… jam kryetar i Komunës së Gorës”

thaci kushi goraDragash, 04 dhjetor 2013 – Kandidati nga treva e Gorës së Dragashit, Safet Kushi, i cili garoi në zgjedhjet lokale për kryetar të Komunës së Dragashit, por që në fakt promovimin e tij e bënte, sikur po garonte për kryetar të Komunës së Gorës, e cila vepron ende nën juridiksionin e Serbisë, edhe pas zgjedhjeve vazhdon të prezantohet si njeriu i parë i kësaj komune paralele. “Unë jam kryetar i Komunës së Gorës”, tha Kushi gjatë prezantimit për Radio SHARRI, teksa mburrej, jo se kishte fituar postin për të cilin garoi, por për faktin se subjekti që përfaqësoi ai, ndonëse i sapoformuar, rezultoi të jetë më i votuar në trevën e Gorës. “Në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në Kosovë, CDU – JGL (Qendra e Unionit Demokratik – Lista e Bashkuar Gorane), garon me kandidatin e vet për kryetar të Komunës së Dragashit, me program të qartë, i cili përmban…”, thuhet në kreun e ofertës së këtij subjekti të ri politik nga Gora, për të vazhduar me pikat kryesore që synon ky subjekt.
Pika e parë e premtimit ishte “Formimi pa asnjë kusht i vetëqeverisjes lokale, Komunës së pavarur të Gorës, me kufij të qartë gjeografik dhe kadastral që i takojnë kësaj treve, me qendër në Dragash”.
I pyetur për ta komentuar mënyrën, se si mendon ta arrij këtë synim, Kushi thotë se gjithçka do të rrjedh sipas asaj që kanë planifikuar. “Të gjitha janë të definuara me bisedimet që po zhvillohen në Bruksel. Presim dhe shohim se cilat do të jenë rezultatet”, tha Kushi, ndërkohë që në platformën e tij thuhet se “do të formohet një këshill kombëtar, të cilin do ta përbëjnë përfaqësuesit e partive politike dhe individë, për të hartuar strategjinë afatgjate të interesave të tyre, po ato që gëzojnë serbët në veri të Kosovës, apo shqiptarët në jug të Serbisë”. Përpos që kërkohet hapja e vendkalimit kufitar me Maqedoninë, në Strazimir, në platformën e këtij subjekti kërkohet bashkëpunim i ngushtë me Serbinë, sidomos në fushën e Arsimit, Shëndetësisë, si dhe futjen e kësaj Komune në Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë. “Gjithçka do të realizohet, sipas marrëveshjes së Brukselit”, thotë Kushi, pa dhënë detaje, nëse është diskutuar dhe çka është diskutuar në Bruksel për këtë komunitet.
Sido që të jetë, përmes platformës së tyre, ky subjekt i kishte ftuar të gjithë banorët e Gorës që të bashkohen, pavarësisht bindjeve partiake, për ta realizuar synimin në formimin e Komunës së Gorës.
Një kërkesë të kamotshme, për krijimin e Komunës së Gorës, e kanë lansuar edhe përfaqësuesit e partisë tjetër nga Gora, VATAN, e udhëhequr nga ish-ministri i Shëndetësisë, Sadik Idrizi. Madje, ky i fundit ka deklaruar, se kjo çështje po neglizhohet nga Qeveria e Kosovës, ndonëse, siç thuhet, kryeministri Thaçi ua kishte premtuar shumë më herët.

  • ari new

    hashim zajednica me safet govedaroviqin