OSBE organizoi takim me kryetarët e Komunave të Prizrenit

osbe takim kryetaretPrizren, 08 prill 2014 – Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), sot mblodhi në Prizren kryetarët e Komunave të këtij regjioni, për të diskutuar në lidhje me përvojat mbi transparencën, bashkëpunimin ndërkomunal dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Shefi i Misionit të OSBE-së, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, tha se njëri nga qëllimet e këtij takimi ishte edhe njohja me kryetarët e rinj të Komunave, pas zgjedhjeve të fundit lokale. Ai i përshëndeti me këtë rast kryetarët e rinj, duke uruar që raportet me misionin e tij të mos ndryshojnë, ndërsa kryetarët e rizgjedhur, i uroi për bashkëpunimin e gjertanishëm. Në këtë takim morën pjesë kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, ai i Rahovecit – Idriz Vehapi, kryetari i Suharekës – Sali Asllanaj, ndërkaq praninë e kryetarit të Prizrenit e zëvendësoi, Lulzim Kabashi. Që të gjithë u zotuan për një bashkëpunim të plotë mes vete, si dhe për transparencë të lart gjatë mandatit të tyre. Në takim u diskutua edhe për çështje të tjera, siç është Platforma për dialog të hapur, Trashëgimia kulturore, çështjet që kanë të bëjnë me barazinë gjinore etj. Mbledhjen e drejtoi zyrtari regjional i OSBE-së në Prizren, Ulrich Biffar, i cili në fund shtroi koktej për mysafirët e ftuar, gjatë së cilit u krijua mundësia për diskutime të hapura.
Në takim ishte i ftuar edhe drejtori i Radio SHARRI-t, Beqir Beqaj, i cili kërkoi nga kryetarët e Komunave të regjionit të Prizrenit, që mos të presin vetëm nga të tjerët për tu mbledhur bashkë, nën praninë e gazetarëve, por të shqyrtojnë mundësinë që, së paku një herë në muaj të vetëorganizojnë takime të tilla, përmes së cilave do të shkëmbenin përvojat e tyre, si dhe do t’i kontribuonin transparencës, e cila për çdo ditë po kërkohet nga shoqëria civile dhe gazetarët.