Gëzuar, pa politikë – Me punë!

beqir-beqaj-opinionNga: Beqir BEQAJ


Viti që sapo përcollëm, ishte i mbushur me politikë dhe shumë pak me punë konkrete. Politika dominoi kudo, edhe gjatë vitit 2013, ndërkohë që punët nuk ishin aq të dukshme. Mbase, fakti që ishte vit i zgjedhjeve, viti që përcollëm u karakterizua më shumë me politikë, se sa më punë. Megjithatë, hallall. Hallall, sepse populli i Kosovës votoi më mirë se asnjëherë më parë. Populli diti kësaj radhe t’i ndëshkojë të fortët dhe t’i fuqizoj të dobëtit, të cilët zotoheshin se do të bëjnë mrekulli, po iu besua vetëm një mandat.
Populli iu dha shansin, atyre që dukeshin më të sinqertë në premtimet e tyre, ani pse ishin të papushtetshëm. Ndëshkoi tre partitë e mëdha dhe të pushtetshme, ndonëse jo krejtësisht. Por, në këto zgjedhje ua dha “kartonin e verdhë”, duke i vetëdijesuar se, po vazhduan me këtë ritëm, do ta marrin edhe “kartonin e kuq”. Të gjitha këto ngjarje, ne si media u munduam t’i përcjellim, ani pse e dimë që nuk ia kemi dalë kuotës 100%. Po e morëm shembull radion tonë (Radio SHARRI), kemi parë edhe anomalinë tjetër, ku politikanët në Dragash nuk i dhanë shumë rëndësi radios. Shtrëngonin dorën, kur duhej të investonin për shërbimet që mund t’i merrnin nga radio. Ata, më shumë u morën me rrjetet sociale, se sa që shfrytëzuan radion, si mjetin më të fuqishëm për të komunikuar me publikun. Dhe, kjo indiferencë ndaj radios, iu kushtoi gjithsesi, pasi nuk arritën atë që dëshiruan në këto zgjedhje dhe, si përfundim, iu mbetën në kujtesë vetëm fjalët e mira që lexonin nga komentuesit në rrjetet sociale.

Dëgjuesi dhe lexuesi ynë, mbetet besnik

Miqve dhe gjithë atyre që na mbështetën gjatë vitit 2013, ne u jemi mirënjohës. Sepse na besuan për 365 ditët e vitit që sapo e lamë pas. Gjatë asaj kohe, ne kemi pasur lëvdata, sugjerime, këshilla por edhe kritika. Pa dallim, që të gjitha i kemi marrë parasysh dhe i kemi analizuar me seriozitetin më të madh. Ato që nuk bënin pjesë në këto kategori, por që thjeshtë kanë qenë tallje, mahi, besa edhe kërcënime e fyerje, ia kemi lënën në dorë dikujt tjetër që është më i fuqishëm se ne, duke u lutur për ata persona që të kthjellohen dhe t’i kthehen vetëdijes!
Gjatë vitit 2013, ne jemi munduar me gjithë forcat dhe potencialin që kemi aktualisht, për të qenë sa më afër audiencës, duke iu sjellë njoftime dhe lajme me saktësi, pa u ndikuar nga presionet shumëdimensionale që, përmes lajmit, synonit të përcillnin tek audienca jonë propaganda të lloj-llojshme. Se sa ia kemi dalë të rezistojmë në këto trysni, përgjigjen mund ta jep më së miri dëgjuesi dhe lexuesi ynë, pasi vetëm ai e bën këtë pa kurrfarë interesi dhe qëllimi të keq!
Gjatë vitit 2014, ne do të mundohemi t’i shtojmë informacionet, duke e verifikuar në çdo rast saktësinë e tyre. Kjo, sepse qëllimi ynë, nuk është të marrim sa më shumë “Like” përmes lajmeve me tituj sensacionalë, por që në përmbajtje janë boshe. Qëllimi ynë është informimi i drejtë, i paanshëm dhe me saktësi. Ndonëse jemi të vetëdijshëm që secili informacion, për dikë tingëllon ëmbël dhe për dikë hidhur, por ne do ta publikojmë. Sepse, ne nuk prodhojmë lajme, por ne ju sjellim informacione mbi ngjarjet reale, ani pse shumë prej tyre mbahen të fshehura, edhe nga vet institucionet. Prandaj, për çdo ngjarje, ku ju jeni dëshmitarë, ju lusim që të na njoftoni, pasi ne nuk mund të jemi prezent gjithkund. Jeni ju, ata që konsiderohen si burim i parë i informacionit, për të cilin ne hulumtojmë vërtetësinë, për tua sjellë më pas gjithë publikut, si njoftim me atë që ka ndodhur.
Duke ju dëshiruar shëndet, fat, lumturi dhe harmoni gjatë vitit që po na vjen, ju ftojmë për më shumë vetëdije, atdhedashuri, respekt për këdo e sidomos për ata që mundohen të bëjnë vepra të mira. Larg xhelozisë. Përqafoni çdo veprim të mirë dhe, pse jo, protestoni për gjërat e këqija.
Ejani më në fund t’i bashkohemi idesë, duke u nisur nga vetvetja, për gjithçka dhe jo të merremi më gjithkënd, duke harruar se veten po e lëmë pas dore. Të mësohemi më në fund që, për gjithçka që kërkojmë nga të tjerët, të fillojmë ta japim nga vetja. Të kuptojmë se, nuk është jeta politikë, por është puna ajo që na e bën jetën më të mirë!