Sot merr fund gjithçka – Shkojmë në zgjedhje të reja!

beqir-beqaj-opinionNga: Beqir BEQAJ


• Muaji që lamë pas, ishte muaji i zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës dhe, po të ndodhte kështu, tashmë do të kishim edhe rezultatet e para nga këto zgjedhje. Mbase do të kishim një rezultat më të mirë, por ama, deri më tani, gjithçka do të shkonte për mrekulli, sa i përket vitit që pas disa ditësh po e përcjellim.
Fatkeqësisht, nuk ndodhi kështu. Dikush u nxitua që të organizojë zgjedhje të parakohshme, me shpresën se rezultati i tyre do t’i shkonte në favor! Dhe, vendin e çuan në zgjedhje, që në qershor të këtij viti. Ishin këto zgjedhjet më të mira që organizoi Kosova, për herë të parë të organizuara nga vetë kosovarët. Mbase, kjo falë popullatës, e cila gjithnjë voton me qetësinë dhe kulturën maksimale. Ata që po ua prishin imazhin zgjedhjeve të qeta dhe me dinjitet të lartë, janë vetë politikanët, të cilët assesi nuk po iu referohen rezultateve. Përkundrazi, rezultati për ta nuk po shikohet si parametër për të vepruar më pas, por gjithnjë po gjejnë mënyra për tu bërë pjesë e qeverisjes.
Ky veprim i politikanëve bëri që këto zgjedhje të mrekullueshme të mos jetësohen, as pas gjashtë muajsh. Dhe, kush më shumë e pësoi këtë, pos atij që më së paku ka faj, populli. Ai që është meritor i zgjedhjeve të shkëlqyeshme, pësoi më së shumti, ndërkohë që fajtorët për prishjen e imazhit të këtyre zgjedhjeve, vazhdojnë të përfitojnë! Do të thoshim, një padrejtësi kjo, pa të drejtë ankese! Por, qytetarët nuk mundi askush t’i ndalojë që të vërshonin me kritikat e tyre nëpër rrjetet sociale. Kritika, tallje, sarkazëm, satirizim, madje edhe fyerje të shumta kemi parë nga qytetarët, për gjashtë muaj rresht.

Sot, dita e gjykimit!

Pas kaq kohësh, sot kemi ardhur në ditën e shumëpritur. Ditën e konstituimit të Kuvendit, bazuar në marrëveshjen që pak kush e priste, PDK – LDK! Domethënë, koalicion mes dy partive të mëdha, të cilat realisht do të duhej të udhëhiqnin, njëra pozitën dhe tjetra opozitën. Por, partitë që rivalitetin e tyre e shfaqnin deri në masat ekstreme, sot janë bashkuar. Janë partnerë!
Sot, sipas paralajmërimeve, do të duhej të nënshkruhej marrëveshja mes dy partive lidere në Kosovë, e nëse nuk do të ndodhë kjo, vendi shkon sërish në zgjedhje!
Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se sot (e hënë) në ora 10:00 pritet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet tij dhe Isa Mustafës për bashkëqeverisjen katërvjeçare, PDK-LDK, edhe pse marrëveshja ishte paralajmëruar të nënshkruhej dy ditë më parë, gjë që le hapësirë për të dyshuar se diçka nuk po ecën në këtë drejtim.
Realisht, kemi të drejtë të mendojmë se asgjë nuk është definuar, edhe pse liderët e dy partive na bombardojnë me deklarata se qëndrimet janë përafruar dukshëm mes dy subjekteve. Asnjëri prej liderëve nuk na e tha troç emrin e kryeministrit që do të votohet sot. Pa çka se në LDK vazhdojnë të thonë se shefi i ekzekutivit do të jetë, Isa Mustafa, kur këtë nuk ka mundur ta thotë, as vetë ky i fundit. Kjo le hapësirë për të dyshuar, nëse vërtetë do të nënshkruhet kjo marrëveshje sot.
E nëse nuk nënshkruhet edhe sot marrëveshja, ashtu siç është paralajmëruar, nuk ka më opsion tjetër pos të shkojmë sërish në zgjedhje. Kjo nënkupton se rezultati i gjithë kësaj pritjeje të gjatë do të përfundojë, ashtu siç u nis kjo punë – Keq.

Leave a Reply