Remateksin e quajnë “Rrenateks” – Punëtorët në grevë!

remateks rrenateks grevaDragash, 16 tetor 2015 – Pagën mujore e kanë, më pakë se 200 euro, por edhe ato po iu vonohen punëtorëve të tjerrtores “Remateks” në Dragash, të cilët mbrëmë kanë refuzuar të punojnë, e që edhe sot po vazhdon ky refuzim. “Nuk është më Remateks, por Rrenateks! Ata po na rrejnë për çdo ditë, duke na premtuar se do t’i marrim pagat e shtatorit, madje në një njoftim publik që patën vendosur në dyert e fabrikës, na u premtua se kjo do të ndodhë më 9 tetor. Por, as në këtë datë nuk na i dhanë. Sot, kur u bënë 16 ditë vonesë, ne kemi vendosur që mos t’i ndezim makinat, derisa nuk na i japin pagat e shtatorit”, i tha Radio Sharrit njëri nga punëtorët grevist, i cili kishte frikë t’i përmendet emri në media. “Jo për gjë, por e di se do të kem pasoja, nëse prononcohem me emër”, tha ky punëtor, emri i të cilit është i njohur për redaksinë tonë. Mendim të njëjtë shprehën edhe punëtorët tjerë, të cilët lëshuan një varg akuzash në drejtim të kësaj ndërmarrjeje, e cila menaxhohet nga turqit dhe që assesi nuk po gjen rehati dhe stabilitet, ndonëse mbetet si punëdhënësi më i madh në këtë komunë të varfër.
Një ekip nga Radio Sharri e ka vizituar këtë ndërmarrje, por nuk arriti të futej brenda saj, me synim marrjen e një prononcimi nga përgjegjësit e Remateksit. “Duhet të prisni, derisa shefat të konsultohen me menaxherët kryesorë”, i tha sigurimi ekipit tonë. Pas një kohe, ata sërish kontaktojnë zyrat dhe marrin të njëjtën përgjigje, se ekipi jonë duhet të presë ende, gjë që mbeti të kuptohej se kontakti me ta është i pamundur në këtë situatë.
Këtë gjendje e ka komentuar edhe anëtari i kryesisë së LDK-së në Dragash, Qamil Kolloni, duke thënë se kjo është pasojë e parregullsive dhe e korrupsionit. “Kjo ndërmarrje i ka shumë borxh Komunës, duke mos paguar tatimin në pronë. Dhe, përkundër kësaj, qeveria lokale nuk ka marrë kurrfarë mase. Dihet publikisht se stafi vendor i Remateksit ka lidhje të ngushta me qeverinë lokale, prandaj edhe ndodhin të tilla dukuri. Mos të harrojmë se, në kohën e zgjedhjeve, në këtë tjerrtore janë punësuar shumë njerëz, në kompensim të votës dhe, sapo mbaruan zgjedhjet, filluan t’i largojnë të njëjtit. Prandaj, nuk mund të pritet sukses, në një ndërmarrje ku bëhet politikë”, ka thënë Kolloni për Radio Sharrin.

Leave a Reply