Rezultatet përfundimtare, në Dragash i shuan thashethemet!

kutite me votaDragash, 15 nëntor 2013 – Publikimi i rezultatit përfundimtar për kryetarë komunash, të cilin mbrëmë e publikoi Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), në Dragash ka shuar thashethemet dhe aludimet, se rezultati paraprak që u dha nga KQZ, është ndryshuar, duke e renditur kështu kandidatin e LDK-së, Fatmir Mehmetin, si më të votuarin, kundrejt kandidatit të PDK-së dhe kryetarit aktual, Salim Jenuzi.
Bazuar në këto rezultate, ashtu siç kemi raportuar edhe më herët, në Dragash do të garojnë në balotazh, kandidati i PDK-së, Salim Jenuzi, i cili ka fituar 33.7% të votave dhe kandidati i LDK-së, Fatmir Mehmeti, i cili në raundin e parë ka fituar 30.5% të votave.
Po sipas këtyre rezultateve, të cilat nuk kanë ndryshuar shumë nga ato preliminare, në balotazh, më 1 dhjetor, do të vazhdohet gara edhe në 24 komuna të tjera të Kosovës, kurse në raundin e parë janë fituar 13 komuna. Në këto rezultate nuk është përfshirë Mitrovica veriore, pasi këtë të diel në këtë komunë do të votohet sërish në tri qendra votimi. Vlen të theksohet se, nga zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, kanë dalë më shumë se 100 mijë fletëvotime të pavlefshme.
Deri më tani, nga të dhënat e publikuara paraprakisht, del se për kryetarë të komunave janë të pavlefshme 28 mijë e 559 fletëvotime, ndërsa për kuvendet komunale janë të pavlefshme 81 mijë e 782 fletëvotime. Vetëm në Prishtinë janë mbi 8000 mijë fletëvotime të pavlefshme për kuvendin, ndërsa për kryetar komune janë rreth 2000 mijë fletëvotime të pavlefshme.
Edhe në qytetet tjera, si në Prizren, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë të jugut, Gjilan dhe Ferizaj, ka poashtu numër të madh të fletëvotimeve të pavlefshme. Ndërkaq, në Dragash, janë mbi 1000 fletëvotime të pavlefshme për kuvendin komunal dhe afërsisht 500 fletëvotime për kryetar komune.

Leave a Reply