Arrestohet shqiptari në veri – Pengohet në rindërtimin e shtëpisë!

ndertimi veriu mitroviceMitrovicë, 23 dhjetor 2014 – Nazmi Ismajli, përfaqësues i banorëve shqiptarë të lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës, është arrestuar sot nga pjesëtarët e policisë së Kosovës, nga stacioni i veriut, derisa ishte duke betonuar pllakën e shtëpisë së tij. Në polici është mbajtur rreth një orë, dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, por i është sugjeruar që mos t’i vazhdojë punimet rreth rindërtimit të shtëpisë, derisa të mos pajiset me leje.
“Më kanë mbajtur në polici, rreth një orë. Më kanë thënë se nuk guxoj të vazhdoj punimet, derisa të mos pajisem me leje për këtë punë”, ka pohuar Ismaili, duke e kundërshtuar këtë kërkesë. “Pse duhet të pajisem me leje, unë që kam jetuar këtu edhe para luftës, ndërsa serbët, madje edhe ata që kurrë nuk kanë jetuar këtu, ndërtojnë pa leje dhe nuk kanë probleme të tilla”, ka thënë Ismajli për KosovaPress, duke u zotuar se do t’i vazhdojë punimet në ndërtimin e shtëpisë së tij, sapo të teret pllaka e betonit. Ndëkohë, zëvendëskryesuesi për komunitete në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Emir Azemi, arrestimin e sotëm e ka quajtur si veprim të turpshëm. Sipas tij, ky arrestim ka karakter politik dhe është presion ndaj shqiptarëve për t’mos u kthyer në shtëpitë e tyre në veri.
“Kërkoj që këto praktika të marrin fund, njëherë e përgjithmonë, dhe që shqiptarëve të veriut t’iu mundësohet kthimi në tokat e tyre, pa kushtëzime”, ka thënë Azemi, duke shtuar se ligji duhet zbatuar njëjtë për të gjithë dhe jo në mënyrë selektive.