Selmanaj: Kush e porositi lajmin, kinse aterova në LDK?!

reagon driton selmanajPrishtinë, 06 tetor 2015 – Analisti i njohur, Driton Selmanaj, sapo e kishte kuptuar se disa portale e kanë lakuar emrin e tij, duke raportuar se ai po angazhohet në politikë, konkretisht në LDK, ka reaguar ashpër, duke shprehur dyshimin se ky lajm mund të jetë porositur, sepse nuk përmban asgjë të vërtetë. Në një prononcim për Radio Sharrin, Selmanaj tha se ky lajm s’ka të bëjë fare me të vërtetën, dhe se është një spekulim ordiner nga një pseudo-gazetar. “Fotografitë e postuara në Facebook ishin krejt të rastit, nga një takim poashtu i rastit, me disa të afërm të mi dhe miq të tyre, në një kafiteri, afër Prizrenit. Më habit papërgjegjshmëria e atyre që i thonë vetes gazetar, si dhe nga redaksitë e këtyre portaleve, të cilat transmetojnë lajme, pa i verifikuar paraprakisht. Nuk është etikë të transmetosh një lajm që dikush ka mundur ‘ta prodhojë’ për qëllime të caktuara. T’i vendosësh një titull sensacional, pa e verifikuar paraprakisht një ngjarje, nuk mund të jetë gjë tjetër pos një lajmi të prodhuar, mbase me porosi të dikujt. Por, kjo është Kosova jonë, ku secili bën çfarë të dojë dhe nuk jep përgjegjësi”, ka thënë Selmanaj për Radio Sharrin, duke shtuar se angazhimin e tij eventual në ndonjë subjekt politik, do ta bënte publik vetë dhe nuk do priste që këtë ta bënte një portal, për favore të veta.
Reagimi i Selmanajt vjen, pasi është publikuar lajmi se ai “nuk po mund t’i shkëputet politikës dhe se i është bashkangjitur karvanit të LDK-së në Prizren”. Shkas për këtë konstatim, portalet kanë marrë disa fotografi nga Facebook-u, ku Selmanaj ishte parë me disa aktivistë të LDK-së.