Në Bellobrad u shpalosën vlera tradicionale opojane!

ymer prizreni bellobradBellobrad, 15 tetor 2015 – Si dikur, para luftës në Kosovë, edhe sot u organizua një manifestim i pasur kulturor, në të cilin morën pjesë këngëtarë nga komuna e Dragashit, përfshirë edhe vëllezërit Mushka nga Restelica e Gorës, të cilët ekzekutuan melodi tradicionale me kavall, sharki, si dhe kënduan këngë tradicionale të Gorës por edhe këngë shqiptare që për motiv kanë kurbetin.
Manifestimi i organizuar nga Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni” u përcoll nga shumë qytetarë, të cilët nuk i zinte salla e Shtëpisë së Kulturës në Bellobrad. Manifestimin e madhështuan edhe nxënësit e e Shkollës së Mesme të Ulët “Sezai Surroi”, të cilët, nën përkujdesjen e mësimdhënësve, Muhamet Kryeziu dhe Xheladin Elezi, ekzekutuan disa valle me motive patriotike, por edhe me motive tradicionale të kësaj ane. Manifestimi u hap me një melodi, të cilën me kavall e interpretuan vëllezërit, Nail dhe Hasan Mushka, nga fshati Restelicë, ndërkohë që, pas fjalimit që mbajti kryetari i shoqatës, Bedri Halimi, në skenë u paraqiten këngëtarët, Masar Sinani, Luan Krasniqi, Nexhat Qusaj, si dhe vëllezërit Rijad e Mirhat Lecaj, për tu përmbyllur me një valle të ekzekutuar nga nxënësit e talentuar të shkollës “Sezai Surroi”.
Pas këtij manifestimi, kreu i Shoqatë Kulturore “Ymer Prizreni”, si organizator i kësaj shfaqjeje, Bedri Halimi, u falënderua nga të pranishmit, për faktin se, pas shumë kohësh, në Bellobrad solli këngët opojane që ishin mbuluar nga pluhuri i kohës. Redaksia jonë, si sponsor medial i këtij manifestimi, do të ju sjell xhirimet tonike dhe ato filmike, sapo të jenë përgatitur për transmetim.

Leave a Reply