Mbahet punëtoria rreth pjesëmarrjes dhe fuqizimit gjinor

osbe barazia gjinorePrizren, 11 Mars 2015 – Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi sot në Prizren punëtorinë rajonale për zyrtarët e lartë komunalë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përfaqësueset e grupit të grave lidere mbi çështjet gjinore dhe mënyrat për adresimin e tyre. Sipas zyrtarit të OSBE-së, Radu Niculescu, kjo punëtori u organizuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe fillimin e aktiviteteve që ndërlidhen me çështjet gjinore për vitin 2015, të cilat mbështeten nga Misioni i OSBE-së. Nga Dragashi, në këtë punëtori morën pjesë drejtori i Personelit në Administratën komunale, Avni Nebiu, zyrtarja për Barazi gjinore, Lindita Piraj, si dhe aktivistja e njohur në Dragash, Xhejrane Lokaj. Këto të fundit shpalosën aktivitetet e tyre që po i zhvillojnë në Dragash, ndërkohë që kërkuan më tepër mbështetje në realizimin e projekteve që ndërlidhen me barazinë gjinore. “Në Dragash e shoh të arsyeshme që të funkcionalizohet edhe Këshilli monitorues, i cili do t’i përcjellë aktivitetet që zhvillohen. Ndonëse ka ekzistuar ky këshill, fakti që anëtarët e tij kanë qenë vullnetarë, rezultatet nuk kanë qenë të kënaqshme”, tha Lindita Piraj.
Ndërkaq, Xhejrane Lokaj, potencoi që mos të nënkuptohet vetëm femra kur flitet për Barazinë gjinore. “Këtu duket se po flitet vetëm për femrat, gjë që më pengon kjo gjë. Më pengon edhe kur potencohet gjithmonë fjala DUHET. Unë jam për atë që të veprojmë dhe jo të mbetet gjithmonë në këtë fjalë. Mbase femrën nuk e kemi të emancipuar sa duhet, prandaj dhe ndodhin këto. Por, mendoj që duhet vepruar më shumë në barazinë gjinore përmes buxhetimit”, tha Lokaj. Ndërkaq, Elmedina Baxhaku nga organizata “Ec ma Ndryshe”, potencoi se gjatë monitorimit që po i bën Komunës së Mamushës, ka parë se aty po ndodhë qeverisja e burrave, pasi vetëm burrat ndodhen në pozita udhëheqëse. “Konstatoj me përgjegjësi të plotë se në Komunën e Mamushës po qeverisin burrat dhe as që mund të bëhet fjalë për barazi gjinore në qeverisjen e kësaj komune”, tha Baxhaku.
Në këtë punëtori diskutoi edhe djejtori i radios sonë, Beqir Beqaj, i cili kërkoi që të veprohet më konkret, kur bëhet fjalë për barazinë gjinore. “Nuk jam për atë që të flitet për barazi gjinore, ndërkohë të nënkuptohet dhe të veprohet për avancimin e femrës. Barazi gjinore do të thotë të jenë të barabarta dy gjinitë në çdo fushë”, tha Beqaj, duke shprehur mospajtim me ligjin aktual të zgjedhjeve, i cili obligon përfshirjen e femrës në legjislativ në kuotën prej 30%. “Nëse duam barazi gjinore, të mendojmë pak për kuotën 50% në përfaqësimin e femrës, përmes sensibilizimit dhe arsimimin e shoqërisë, e cila më vonë do të pajtohej me këtë kuotë. Vetëm atëherë mund të themi se kemi arritur barazi gjinore”, tha Beqaj.

  1. Rasim Realisti 17/03/2015, 12:07

    Barazi… Mmmmmm…

Leave a Reply