OSBE trajnon gazetarët se si t’i mbulojnë zgjedhjet!

OSBE trajnon gazetarët se si t’i mbulojnë zgjedhjet!

Pejë, 07 shtator 2017 – Departamenti i Demokratizimit i OSBE-së, në Pejë ka mbledhur përfaqësuesit e medieve nga rrafshi i Dukagjinit, për të zhvilluar punëtorinë që ndërlidhet me zgjedhjet në Kosovë.
Me titullin: “Avancimi i raportimit profesional dhe të saktë mbi procesin zgjedhor”, për dy ditë rresht (e mërkurë dhe e enjte) është punuar në trajnimin dhe vetëdijesimin e drejtuesve të medieve, se si duhet t’i qasen këtij procesi të rëndësishëm për shoqërinë tonë. “Duke i pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme lokale dhe përpjekjet për të përforcuar raportimin profesional dhe të saktë mbi procesin zgjedhor, Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka organizuar këtë seminar, në të cilin mediet u njohën me mundësitë që kanë votuesit për të marrë informata të paanshme dhe të sakta, si dhe që të marrin pjesë në diskursin publik që është çështje thelbësore e mbulimit medial gjatë zgjedhjeve. Për më tepër, organet menaxhuese të zgjedhjeve në nivel lokal janë të obliguara t’i kumtojnë informatat tek elektorati, por edhe tek partitë politike dhe kandidatët”, tha për redaksinë tonë, Dane Koruga, shef i Seksionit të Medieve pranë Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Në mbështetje të medieve për raportime sa më koncize ligjëroi, Rasto Kuzhel, ekspert i angazhuar nga OSBE-ja, i cili tha se po mundohet që gazetarëve dhe medieve në përgjithësi t’ua shpalosë parimet që konkretizojnë epitetin e të raportuarit drejtë dhe saktë në zhvillimin rreth procesit zgjedhor. “Ky seminar mëtoi të rrisë kapacitetet e medieve lokale dhe qendrore, për të mbuluar segmentet e ndryshme të zgjedhjeve. Temat e trajtuara këtu janë standarde ndërkombëtare, bazuar në kornizat ligjore të zgjedhjeve sepse gazetarët duhet të raportojnë rreth administrimit të zgjedhjeve, për edukimin e votuesve, procedurat e parashtresave dhe ankesave, si dhe fushatat e partive politike. Gazetarët duhet ta kuptojnë se roli i tyre po vjen duke u bërë gjithnjë e më i madh, sidomos i medieve elektronike”, tha Kuzher nga, drejtor ekzekutiv i organizatës “Memo 98” nga Sllovakia.
Pas përmbylljes së kësaj punëtorie, disa nga përfaqësuesit e medieve u shprehen se në këtë punëtori dyditore kanë marrë njohuri të padëgjuara ndonjëherë. “Këtu mësova shumë gjëra, për të cilat nuk i kam dëgjuar më parë. Madje edhe kur është fjala për heshtjen parazgjedhore dhe opinionet që mund t’i bëjë editori, duke favorizuar një kandidat apo subjekt të caktuar. Mësova se në kohën e internetit, heshtja parazgjedhore nuk ka kuptim dhe nuk mund ta respektosh. Por, gjithsesi se ne do ta respektojmë ligjin për zgjedhjet, i cili na udhëzon se si të veprohet në fushata zgjedhore”, tha për Radio Sharrin, Arita Gërxhaliu, pjesëmarrëse nga BIRN-i në këtë punëtori, ku morën pjesë përfaqësues nga mediet qendrore dhe atyre lokale, ndër to edhe përfaqësuesi nga shtëpia jonë informative.

Leave a Reply