Bastiset një bashkëpunëtor i Serbisë në Gorë!

Bastiset një bashkëpunëtor i Serbisë në Gorë!

Dragash, 14 shtator 2017 – Zeqir Zurapi, nga fshati Rapçë e Gorës së Dragashit, është bastisur dje nga policia, për motive që ende nuk janë bërë të njohura për publikun.
Një burim i besueshëm, brenda policisë, i ka thënë redaksisë sonë se hetimet ndaj këtij personi që është i njohur për aktivitetet në trevën e Gorës, sipas ligjeve të Serbisë, do të vazhdojnë edhe në ditët vijuese. “Po hetohet veprimtaria e këtij personi, i cili njihet për veprimtarinë e tij, në dobi të shtetit serb dhe në kundërshtim me ligjet e Kosovës”, ka thënë ky burim. Zurapi, i cili aktualisht është koordinator i Kryqit të Kuq të Serbisë dhe njëkohësisht edhe profesor në Shkollën e Mesme që vepron gjithashtu me ligjet e Serbisë, është marrë në pyetje në stacionin policor të Dragashit, ndërkohë që njësitet speciale të policisë kanë bastisur shtëpinë e tij, ku kanë gjetur vulën e Kryqit të Kuq të Serbisë dhe dokumente të ndryshme “Çdo vit shpërndaj ndihma humanitare për popullatën e rrezikuar të Gorës. Por, për shkak të kërkesave të shumta për ndihmë, më është dashur ta bëj regjistrin e ri, për të parë se kush në të vërtetë ka nevojë për ndihmë”, citohet Zurapi nga mediet serbe. Sipas RTS-së, pikërisht ky regjistrim ka qenë shkak i arrestimit të Zurapit dhe kolegëve të tij nga Graçanica e Peja. Më herët, Zurapi ka qenë koordinator i të ashtuquajturës Qendra Koordinuese për Kosovë e Metohi, e cila vepronte në kuadër të qeverisë serbe.

Leave a Reply