Policia bastis shtëpinë e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova!

ibrahim rugova shtepiaPrishtinë, 05 shkurt 2014 – Policia e EULEX-it po qëndron ende në shtëpinë e presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova. Mësohet se, përveç djalit të tij, Ukë Rugovës, policia ka arrestuar edhe shtatë persona të tjerë, të dyshuar për krim të organizuar.
Lajmin për  ndalimin e tij e ka konfirmuar edhe Bajram Tmava, avokati i Rugovës. “Po, ai është ndaluar. Për momentin po prezantohen provat, si dhe po bastiset shtëpia e tij në Velani”, tha Tmava për Gazetën Jeta në Kosovë. Edhe Blerim Kransiqi, zëdhënësi i misionit të EULEX-it në Kosovë, e ka pohuar ndalimin e Ukë Rugovës. Krasniqi tha se, gjatë mëngjesit të së mërkurës, ka filluar një operacion bastisjeje dhe arrestim të një grupi të pandehurish për krim të organizuar. “Ata dyshohet të jenë përfshirë në një grup kriminal për kryerjen e veprave penale të krimit të organizuar, mashtrimit dhe ushtrimit të ndikimit. Të pandehurve janë duke iu bastisur shtëpitë”, tha Kransiqi.
Rugova, 43-vjeçar, është aktualisht deputet i koalicionit për Kosovën e Re, koalicion ky parazgjedhor, i themeluar nga Aleanca për Kosovën e Re, i udhëhequr nga Begjet Pacolli. Ai hyri në politikë, para zgjedhjeve të fundit parlamentare të vitit 2010, kur ai dhe disa ish-anëtarë të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës u larguan nga LDK-ja, duke krijuar listën “Dr Ibrahim Rugova “.