Bora që nxori në pah nivelin e shtetit!

beqir beqaj drejtorNga: Beqir BEQAJ


• Ka mjaftuar vetëm 10 centimetra borë, madje edhe më pakë se kaq, që trafiku rrugor në Kosovë të shndërrohet në rrëmujë, ku për pasojë kishte shumë dëme materiale në automjete por edhe persona të lënduar. Kjo, sepse bora i zuri në befasi kompanitë që janë kontraktuar nga qeveria jonë për mirëmbajtjen e rrugëve nga dëbora.
Se nuk i zuri në befasi, por me sarkazëm kështu u shprehën qytetarët, vërteton fakti se ato ishin më të përgatitura se kurrë më parë, pasi moti i mirë që ka mbretëruar gjatë muajit dhjetor, përpos që i ka kursyer familjet skamnore, i ka kursyer edhe këto kompani, si në derivate ashtu edhe në kripë. Megjithatë, e diela e parë e këtij janari ka dëshmuar se përgjegjësia e kompanive ndaj obligimit për të cilin janë paguar goxha mirë nga qeveria, nuk është në nivelin e duhur, madje as në atë minimal.
Për këtë mospërgjegjësi, në një shtet normal, kompanitë e kontraktuara do të ndëshkoheshin rëndë, deri në masën e humbjes së të drejtës për konkurrim për ta marrë përsipër këtë punë në vitet në vazhdim. Por, në rrethanat tona, këto kompani nuk e kanë këtë problem. Madje, shumë zyrtarë iu dalin në mbrojtje kompanive, duke u prononcuar në media se ata nuk kishin faj, por moti ishte tejet i keq dhe ishte e pamundur të bëhet më shumë.
Harruan ata zyrtarë se motin e kishin përjetuar vetë qytetarët dhe secili e ka parë se çfarë mund të bëhej në ato kushte! Harruan se drejtuesit e automjeteve ishin në vendngjarje dhe shumë mirë e dinin situatën në terren. Por, pavarësisht kësaj, disa zyrtarë, nga zyrat e tyre i panë automjetet se nuk ishin të pajisura me goma dimri. Ndërkohë, policia ua përkujtonte drejtuesve të automjeteve se për çdo fatkeqësi në trafik, fajin do ta bartin vetë, nëse nuk i hapin më shumë sytë gjatë drejtimit të automjetit.
E çfarë faji kisha unë, kur nga Peja deri në Prizren mu deshën plotë tre orë të rrugëtoja nëpër rrugën e papastruar fare nga bora, nën të cilën vezullonte shtresa e akullit? Kot që kisha goma të reja, kot që i kisha hapur katër sy në timon dhe krejt kot që harxhova trefishin e derivatit, kur në fund dëgjova këshilla se “duhej t’i kisha gomat e reja, t’i hapja sytë në timon dhe të lëvizja ngadalë”! Të gjitha këto unë i kisha aplikuar dhe, prisja reagimin e shtetit ndaj përgjegjësve, jo të më këshillonte mua!
Nga Peja e deri në Prizren, nuk pashë asnjë borëpastruese, asnjë patrullë policore, siç rëndom jemi mësuar t’i shohim me radarë në dorë, kur mbretëronte mot i mirë. Realisht, prisja më shumë patrulla policore këtë të diele, pasi konsideroja se në një mot të atillë do të duhej të veprohej më me seriozitet. Krejt çfarë pashë në atë rrugëtim, ishin dhjetëra aksidente, fatmirësisht vetëm me pasoja për automjetet, ku shiheshin duke u fjalosur mes vete drejtuesit e automjeteve. Në asnjërin prej rasteve nuk pashë policinë. Pashë se si disa automjete bënin akrobacione nëpër rrugë dhe përplaseshin për automjetet tjera, ani pse këto të fundit lëviznin me kujdes dhe kishin goma të dimrit.
Fatmirësisht, nuk mu përplas mua asnjë automjet, se ndryshe do ta padisja shtetin, për faktin se ai për çdo vjet më vjel taksa të majme, mu për këto rrugë dhe për mirëmbajtjen e tyre. Do ta padisja, sepse unë e di se fajtor për gjithë këtë rrëmujë është shteti e jo Zoti që solli borën dhe motin e ftohtë. Do ta padisja shtetin, pasi ai i paguan kompanitë dhe ai do të duhej t’i kontrollonte ato se si po e bëjnë punën për të cilën janë paguar. Do ta padisja shtetin, i cili nuk e urdhëron policinë për më shumë kontroll ndaj automjeteve, siç kontrolloheshin dikur, nëse kanë goma adekuate, drita në gjendje të rregullt, sinjalistikë dhe sistem adekuat të frenimit.
Nuk është kontroll vetëm me një radar në dorë dhe të matet shpejtësia! Zaten, pas çdo aksidenti, në 90 përqind të rasteve, dëgjojmë nga policia se shkaktar i aksidentit ishte shpejtësia. Jo, nuk mund të jetë vetëm shpejtësia i vetmi shkaktar në aksidente, janë edhe faktorët tjerë, si gomat e harxhuara, dritat e çrregulluara, të cilat e verbojnë drejtuesin nga ana e kundërt, mungesa e sinjalistikës, sistemi jo i rregullt i frenimit etj. Prandaj, nëse doni ta ndërtoni Kosovën shtet normal, të paktën si ato në rajon, atëherë veproni sikur ato shtete. Zbatojeni ligjin! Ndëshkojeni fajtorin dhe shpërblejeni meritorin.