Plazhi i Golemit, edhe këtë verë mbetet i ndotur?

plazhi golem shqiperiGolem, 07 prill 2014 – Plazhi i Golemit ka një shtrirje prej rreth 6 kilometrash, nga Përroi i Agait, në kufi me komunën e Rrashbullit, deri në Qerret. Ndonëse ky plazh është ndër më të vizituarit në sezonin veror, ai vazhdon të ndotet nga derdhja e ujërave të zeza në det. Në disa pika, pranë Shkëmbit të Kavajës, ujërat e zeza që vijnë nga zonat e banuara derdhen në det, pavarësisht se investimi për ndërtimin e kanalizimeve është drejt përfundimit. Banorët e zonës shprehen se, në këtë gjendje nuk mund të behet plazh këtu sepse, mosvënia në funksion e Impiantit të Përpunimit të Ujërave të Zeza, i cili u inaugurua në prill të vitit të kaluar, ka bërë që ujërat e këtij plazhi të vazhdojnë të ndoten, duke rrezikuar shëndetin.
Sipas kryetarit të Komunës së Golemit, Agron Agalliu, kjo problematikë do të marrë fund këtë vit dhe se lidhja e kanalizimeve është e garantuar. Por, një tjetër version jep Drejtoria e Ujësjellësit në Kavajë, sipas së cilës, punimet janë ndërprerë për mungesë fondesh. “Impianti është ndërtuar, por për vënien e tij në funksionim, po bisedohet me qeverinë. Vlera e investimit për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza për bregdetin e Golemit, të cilat shkojnë dhe përpunohen në impiantin e ujërave të zeza në Qerret të Kavajës, arrin rreth 5 milionë euro”, bëjnë të ditur zyrtarët nga kjo drejtori.

KËRKO FJALËT