Gazetarët kërkojnë më shumë transparencë nga gjykatat!

Gazetarët kërkojnë më shumë transparencë nga gjykatat!

Pejë, 14 tetor 2016 – Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në bashkëpunim me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), për dy ditë ka organizuar në Pejë punëtorinë që kishte të bënte me raportimin për drejtësinë.
Gjatë dy ditëve është diskutuar për mënyrën e raportimit të gazetarëve nga organet e drejtësisë, si dhe për punën e zëdhënësve në këto institucione. Siç u tha në këtë punëtori, kushtetuta e Kosovës e ka rregulluar këtë çështje, duke i bërë seancat gjyqësore të hapura për publikun. Por, janë disa rregullore dhe akte, përmes të cilave po tentohet që seancat gjyqësore të jenë më të mbyllura dhe pa i identifikuar protagonistët e seancave. Në këtë punëtori u trajtua nevoja e kamotshme që gazetarët të njihen më shumë me procedurat gjyqësore dhe mënyrat e raportimit për to. Pjesëmarrësit në punëtori ishin përfaqësues nga gjyqësori, këshilltarë ligjorë nga EULEX-i, përfaqësues të Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës, gazetarë dhe zëdhënës të institucioneve. Sipas organizatorit, qëllimi i këtij trajnimi ishte që të bëheshin bashkë gazetarët dhe zëdhënësit e institucioneve të Kosovës, si dhe zyrtarët përkatës ligjorë për ta rritur kapacitetin e tyre në raportimin gjyqësor.
Në pjesë të ndara, në këtë trajnim u shtjelluan shumë tema, siç janë standardet ndërkombëtare të drejtësisë transparente, çfarë duhet të dinë mediet, çfarë mund të zbulojnë zëdhënësit, nga hetimi në aktakuzë – Interesi publik kundrejt privatësisë, raportimi për drejtësinë – Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi Penal, Standardet ndërkombëtare të gazetarisë për raportimin për drejtësinë dhe luftimin e korrupsionit brenda institucioneve të sundimit të ligjit, komunikimi ndërmjet zëdhënësve dhe gazetarëve, përgatitjet për intervistë – Drejt një drejtësie të hapur dhe transparente në Kosovë etj. Përfaqësuesit nga BIRN-i kërkuan që gjykatat të jenë më transparente, kur janë në pyetje seancat gjyqësore, madje të publikohen edhe emrat e personave që gjykohen. “Nëse vendimet e gjykatave merren në emër të popullit, atëherë populli duhet të jetë i informuar se kush po gjykohet dhe përse. Aq të fshehta janë këto detaje, përmes kodeve dhe jo emrave, sa që edhe ne gazetarët e kemi vështirë ta kuptojmë se kush dhe përse po gjykohet”, tha Petrit Kryeziu nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), duke shtuar se edhe gazetarët duhet të kenë njohuri nga kjo fushë për ta përcjellë punën e gjykatave, sidomos seancat gjyqësore.

KËRKO FJALËT

Leave a Reply