Konkursi për mësimdhënës – Premtohet korrektësi dhe transparencë!

Konkursi për mësimdhënës – Premtohet korrektësi dhe transparencë!

Dragash, 28 janar 2022 – Drejtoria për Arsim në Dragash ka shpallur konkurs për vendet e lira të punës, si mësimdhënës, duke premtuar se do të angazhohet maksimalisht që në këtë proces dhe jo vetëm, të ketë sa më shumë korrektësi dhe transparencë. “Do të angazhohemi që ky proces dhe jo vetëm ky, të zhvillohet me korrektësi maksimale, si dhe me transparencë të plotë ndaj publikut”, tha për redaksinë tonë drejtori i këtij dikasteri, Selim Kryeziu, duke shtuar se këtë fushë e njeh mirë, prandaj do të angazhohet deri në maksimum që arsimi në këtë komunë të jetë shembull. Kjo përgjigje e Kryeziut vjen pas interesimit tonë që t’i komentojë paragjykimet në konkursin që është publikuar, ku komentet negative janë të shumta.
Bazuar në komentet që janë bërë në faqen tonë, tek konkursi, është vërejtur mosbesim i madh rreth procesit të pranimit të mësimdhënësve të rinj, ku dominojnë paragjykimet se konkursi është vetëm për ta kënaqur ligjin sepse në realitet dihen personat që do të pranohen. Këto paragjykime i ka hedhur poshtë Kryeziu, duke thënë se kjo praktikë nuk do të aplikohet. “Përderisa të jem unë drejtor, kjo praktikë e shëmtuar nuk do të aplikohet. Prandaj, inkurajoj të gjithë ata që kanë përgatitje adekuate që të aplikojnë”, tha shkurt Kryeziu.

Shkarko konkursin KËTU!