Ndikimi negativ i politikave qeveritare, në Dragash!

opinion-kolloni-qamilNga: Qamil KOLLONI


Papjekuria politike e politikanëve kosovarë dhe, thënë më realisht, përfaqësueseve të qeverisë së Kosovës, e përbërë prej një grup njerëzish, pa vizion dhe të etur për sa më shumë pushtet, po reflekton negativisht edhe nëpër komunat e Kosovës e në veçanti në komunën e Dragashit.
Qeveria, apo qeveritarët tanë, duke u munduar të paraqesin superioritetin ndaj vartësve të tyre nëpër komuna, po shkaktojnë defekte, që realisht janë shumë vështir të riparohen. Së fundmi, kjo ndodhi edhe në komunën e Dragashit, aty ku jeton komuniteti boshnjako-goran. Ky komunitet, i pafavorizuar nga askush por i manipuluar nga gjithkush, pas 14 vjetësh angazhim për tu integruar në institucionet e Kosovës, për një moment, nga mungesa e vizionit politik të qeverisë së Kosovës, po rrëshqet drejt Asociacionit serb të Komunave, si asociacion “integrues” në institucionet kosovare apo asociacion sfidues?
Sipas bisedimeve në Bruksel, po del se ky Asociacion do të jetë një pengesë e vazhdueshme për institucionet kosovare, që nënkupton edhe sfidë për Komunën e Dragashit. Për 14 vjet, komuna e Dragashit ishte shembull i tolerancës ndëretnike. UNMIK-u dhe të gjitha qeveritë e Kosovës, pa përjashtime, lavdëroheshin ne emër të këtij shembulli. Por, ketë qetësi dhe mburrje e prishi përfundimisht dalja e CDU-së në skenën politike të Dragashit, me kërkesën për formimin e Komunës së re të Gorës, me seli në Dragash, e cila do të inkorporohej në Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë. Ky ishte slogani politik i tyre.
Pushtetarët lokalë, më saktësisht politikanët në komunën e Dragashit, nuk i kushtuan shumë vëmendjeje këtij fenomeni, duke menduar se këto kërkesa i takonin zhargonit të fjalorit që zakonisht përdoret nëpër fushata. Më keq ndodhi, kur për balotazh, këto kërkesa u pranuan edhe nga Enver Hoxha, Hashim Thaçi dhe Salim Jenuzi.
Të ndikuar apo të verbuar nga frika se mos do ta humbnin Prizrenin, pranuan të gjitha kushtet e CDU-së për Komunën e Dragashit, duke krijuar kështu edhe një Komunë serbe në jug të Kosovës. Kjo papjekuri politike e nxori nga loja VAKAT-in dhe komunitetin boshnjako-goran, i cili tash e 14 vjet kishte pranuar institucionet e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Punuan bashkë në ketë komunë, në kuadër të legjislacionit kosovar. Liderët e kësaj partie (VAKAT-it), mbetën si subjekt joserioz dhe, vetëm për plotësim apetitesh të individëve brenda partisë dhe të qeveritarëve shqiptarë.
Nga mosdija politike dhe etja që të kenë sa më shumë pushtet, brenda natës rrënuan atë që u ndërtua për 14 vjet. Në anën tjetër, në Komunën e Dragashit, ai i cili është i thirrur të sqaroj për situatën politik në komunë, Salim Jenuzi, as që e kupton se çka po ndodhë dhe se çfarë dëmi është duke i shkaktuar qytetarëve në komunën e Dragashit. Ndërkaq, ministri Enver Hoxha, duke e parë se ka një njeri të dëgjueshëm, si Salim Jenuzi, i cili është në gjendje të bëj pazare nga më të ndyrat, në dëm të të gjithëve, bëri marrëveshje në Prizrenin heroik. Marrëveshjen heroike, me protagonistët Salim Jenuzi, Enver Hoxha, Safet Kushi dhe Hamza Bale, me të cilën u pajtuan për formimin e Komunës së Gorës, si komunë e cila do t’i bashkohej Asociacionit të Komunave Serbe.
Prandaj, Enver Hoxha, me papjekurinë e tij politike, apo i ndikuar nga pushteti, duhet ta dijë se ka shkaktuar dëm të pariparueshëm dhe, si politikanë, duhet të shpallet i padëshiruar në Komunën e Dragashit, për të gjithë ata që i kuptojnë pasojat e kësaj politike të gabuar, e cila po udhëhiqet nga qeveria e tij, bashkë me vartësit e tij të pa denjë politikisht dhe servilë të skajshëm. Ata, të cilët po mendojnë se madhëria e tij mund të vendosë, edhe aty ku nuk është i thirrur të vendosë.
Por, fati i keq i opojanëve është se po vendosin në emër të tyre, kujt po i teket. Kjo, sepse kanë gjetur një grup njerëzish, servilë të skajshëm politik. Disa materialistë të tipit zvarranik, me të cilët po luajnë, sikur komunën e Dragashit dhe banorët e saj t’i kenë mall babe. Hallall ju qoftë. Vazhdoni, përderisa të keni njerëz të tillë. Por, duhet ta dini se në jetë vjen një moment, kur humbet pushteti dhe nga ju kërkohet llogari. Andaj, mos harroni se turpi nuk ju lahet letë nga gjeneratat e ardhshme.

(Autori është anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Dragash)

Leave a Reply