Në Prizren u promovua krijimtaria poetike e Vera Istrefajt

vera istrefaj kukesPrizren, 24 shkurt 2014 – Klubi letrar “Fan S. Noli” nga Prizreni, ka organizuar mbrëmje poetike me vargjet e autores, Vera Istrefaj. Në lokalet e SHKA “Agimi”, mbrëmjen e së dielës morën pjesë përfaqësues nga dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Kukës, shkrimtarë dhe intelektualë nga Prizreni, të rinj e të reja nga shkollat e mesme artistike të Prizrenit, si dhe përfaqësues të medias, në mesin e të cilave ishte ftuar edhe Radio SHARRI, nga vet poetja.
Vargjet e autores Vera Istrefaj, u gërshetuan edhe me disa pika muzikore, të luajtura nga instrumentistë të rinj prizrenas, të cilët i dhanë ritëm të veçante kësaj mbrëmjeje poetike, ku interpretimi i vargjeve të autores kuksiane bëhej nga nxënës prizrenas.
Vlerësime të vargjeve të poetes kishin dhënë edhe Bajazit Cahani, Besim Cengu, Preç Zogaj, Rajmonda Moisiu etj., të cilat u sollën në këtë mbrëmje nga Lirije Memaj, Flutura Tota etj. Në emër të përfaqësuesve nga Kukësi, të pranishmit i përshëndeti sekretari i përgjithshëm i Prefekturës së Kukësit, Abdulla Domi. Ndërkaq, organizatoret i ka falënderuar edhe sekretari i degës së Lidhjes së Shkrimtareve dhe Artisteve të Shqipërisë në Kukës, Lulzim Hajdari.
Vetë autorja u shpreh e ngazëllyer nga organizimi dhe mikpritja që iu bë në Prizrenin heroik, duke thënë se, një mikpritje si kjo rrallëherë e ka ndjerë kaq shumë, ndonëse ka pasur shumë mbrëmje të tilla.