Një studiues nga Opoja promovon tre libra në Prishtinë!

promovimi bejtullah destaniDragash, 28 qershor 2015 – Studiuesi opojan, Bejtullah Destani, më 9 korrik do të promovojë tre libra në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë, të cilët janë edituar në bashkëpunim me Prof. dr. Ethem Çekun, dekan i Fakultetit të Edukimi në Universitetin “Hasan Prishtina”. Promovimi organizohet nga Qendra për Studime Shqiptare, me seli në Londër, si dhe Instituti i Çështjeve Kombëtare në Tiranë.
Studiuesi, Bejtullah Destani, nga fshati Blaç i Opojës, aktualisht është sekretar i ambasadës së Kosovës në Romë, si dhe drejtues i Qendrës për Studime Shqiptare në Londër.
Ai është njëri ndër studiuesit dhe hulumtuesit e mëdhenj të historisë shqiptare në arkivat e Britanisë së Madhe, Vatikanit dhe Turqisë. Ka publikuar ose ka qenë bashkautor i disa librave të botuara jashtë Kosovës, veçmas në Britani të Madhe.
Para mysafirëve të ftuar në promovimin që zhvillohet më 9 korrik – ora 11:00, ku opojanët do të jenë më dominantë, do të promovohen librat:

1. “Komiteti Qendror Shqiptar“ i Korfuzit – dokumente historike, 1883 – 1885.

2. “Shqipëria në prag të Konferencës së Paqes” – dokumente historike nga Departamenti i Inteligjencës Politike Britanike.

3. Gjeneral G.F. Phillips dhe Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“ – dokumente historike nga Arkivat Britanike, 1913 – 1921.

Leave a Reply