Zjarri në një shtëpi në Blaç, dyshohet se u shkaktua nga fishekzjarret!

zjarr blac zjarrfikesitDragash, 24 dhjetor 2014 – Policia e Kosovës ka njoftuar sot se në fshatin Blaç të Dragashit, rreth orës 11:00 të ditës së djeshme ka shpërthyer zjarri në një shtëpi të pabanuar, pronari i së cilës ndodhet me punë jashtë vendit.
Sipas policisë, zjarri ka kapluar katin e parë të kësaj shtëpie, ku ndodhej vetëm ushqim për kafshët, të cilin e kishte futur aty për ta ruajtur dikush tjetër. Ngjarjen e kanë konfirmuar edhe Zjarrfikësit në Dragash, duke potencuar se gjithçka ka ndodhur pa pasoja në njerëz, por me dëme të konsiderueshme materiale. “Për shkak të largësisë, si dhe kohës, prej shpërthimit të zjarrit e deri kur sinjalizohemi ne, fshatarët kanë qenë aktiv në shuarjen e zjarrit. Por, sapo kemi mbërritur në vendin e ngjarjes, zjarrin e kemi shuar shumë shpejtë dhe e kemi penguar që ai të shpërndahej më tej”, tha për Radio SHARRI-n, Qerkin Krasniqi, zv.komandant i Njësitit Profesional për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Dragash, duke i falënderuar të gjithë ata që kontribuuan në shuarjen e këtij zjarri.
Për shkaqet se si erdhi deri tek ky zjarr, nuk ka ende version zyrtar, por disa persona që ndodheshin në vendngjarje, dyshimet i hedhin tek përdorimi i tepërt dhe vend e pavend i fishekzjarreve, ani pse nata e Vitit të Ri është larg, ndërkohë që në këtë trevë nuk festohen Krishtlindjet, pasi të gjithë banorët janë të besimit islam.

Leave a Reply