Digjet Koritniku – Shpresat për shuarjen e zjarrit tek shiu!

digjet koritniku dragashDragash, 06 shtator 2015 – Zjarrfikësit e Dragashit po luftojnë ende me zjarrin, i cili të shtunën e ka kapluar Koritnikun, në komunën e Dragashit. Në ndihmë iu kanë ardhur edhe tre helikopterë të KFOR-it, por ende nuk është bërë e mundur shuarja e këtij zjarri që po i frikëson edhe banorët e dy fshatrave që shtrihen në afërsi të këtij mali, Rapça dhe Kërsteci.
Kjo është hera e dytë që ky mal i rrallë digjet dhe aktualisht shumë pak pisha kanë mbetur pa u kapluar nga zjarri, pasi edhe para tre vjetësh është djegur një pjesë e madhe e këtyre pishave.
Koordinatori për informim i të ashtuquajturës Komuna e Gorës, Nazim Mehmedi, i ka raportuar mediave në Beograd për këtë ngjarje dhe, përmes agjencisë serbe “Tanjug”, lajmi është shpërndarë në mediat tjera serbe. Por, kjo nuk ka ndodhur edhe me mediat tona qendrore. Ngjarja nga Dragashi nuk është parë e rëndësishme, madje ato pak media të Kosovës që raportuan për këtë ngjarje, vetëm se transmetuan mediat serbe. Kjo u vërejt kur njëra prej medieve tona qendrore, në edicionin e lajmeve të mbrëmjes, fshatit Kërstec iu referua si “Gornji Kërstac”, ashtu siç kanë raportuar mediat serbe.
Sido që të jetë, gjatë së shtunës nuk është shuar zjarri dhe ai ende vazhdon të shtrihet, falë erës së fortë që ka filluar gjatë mbrëmjes. Zjarrfikësit e Dragashit po luftojnë me zjarrin, por terreni i vështirë po ua pamundëson t’ia dalin mbarë. As helikopterët e KFOR-it deri më tani nuk ia kanë dalë që ta shuajnë zjarrin, ndonëse po bëjnë maksimumin në këtë drejtim.
Shpresa e fundit për shuarjen e zjarrit mbesin tek shiu, i cili ka gjasë të bie sonte pas erës së fortë që po frynë në këtë zonë. Ndryshe, kjo pjesë është e përfshirë në hartën e parkut kombëtar “Mali i Sharrit” i cili nuk është përkrahur nga të gjitha subjektet politike të kësaj komune, veçmas futja e Koritnikut si pjesë e këtij parku. Para se të futej në kuadër të këtij parku kombëtar, nuk mbahet në mend të kenë shpërthyer të tilla zjarre në Koritnik, sikurse ai i vitit 2012 dhe ky i ditëve të sotme.

Leave a Reply