Ende pa u bërë një vit, KF “Opoja” rrezikon të shuhet!

shuhet kf opojaDragash, 27 shkurt 2014 – Klubi i Futbollit “Opoja” ndodhet në krizë të rëndë financiare, madje rrezikon të shuhet. Siç bëhet e ditur nga kryesia e klubit, deri më tani është zhvilluar aktivitet, falë përkrahjes nga disa firma private, të cilat kanë bartur barrën financiare për pagesën e arbitrave, ushqimin dhe meremetimin e stadiumit. Ndërkaq, nga pushteti lokal në Dragash, ky klub kishte në dispozicion vetëm një autobus por jo edhe mbështetje financiare. “Vetëm autobusi na është ofruar nga kryetari, Salim Jenuzi, por me vështirësi kemi funksionuar, me shpresë se një ditë do të kemi përkrahjen e plotë nga Komuna e Dragashit. Mirëpo, edhe përkundër premtimeve parazgjedhore, ne sot e kësaj dite nuk kemi marrë asnjë cent nga Komuna e Dragashit, për t’i zhvilluar aktivitetet tona sportive. Nëse Komuna e Dragashit nuk ka interesim që të ketë një klub futbolli, ndërkohë që sponsorët tanë janë në tërheqje e sipër, rrezikohemi ta shuajmë këtë aktivitet”, thuhet në një njoftim nga KF “Opoja”, ku apelohet tek të gjithë njerëzit dashamirës, të cilët kanë mundësi ta përkrahin klubin, që të intervenojnë sa më parë. Madje, kryesia e klubit ka apeluar edhe tek personat, të cilët mund të ushtrojnë autoritetin e tyre tek organet e Komunës, apo edhe tek ministritë përkatëse, që të kërkojnë fonde. Në të kundërtën, paralajmërohet shuarja e klubit. “Intervenoni, që mos të vjen deri tek dështimi i kësaj nisme, e cila ishte shumë e qëlluar për komunën tonë”, thuhet në apelin e klubit.