Na fal komandanti im, Zahadin Krasniqi!

opinion qamil kolloniNga: Qamil KOLLONI


• I nderuar komandant, doja të të quaja gjeneral, por edhe kjo gradë nuk me mjaftoi, sepse ti ishe më shumë se kaq. Ti ishe ai që me veprën, guximin dhe trimërinë tende, edhe në vijë të frontit, dëshmove se je më shumë se gjeneral. Ta kisha zili komandant për këtë trimëri dhe guximin… Edhe sot ta kam zili!
As plagët nuk të ndalën, komandant, që të jesh në mesin e luftëtarëve tu. Ti ishe aty, në vijë të frontit. Po, aty ishe. Në mesin e luftëtarëve, të cilët sot janë gjallë, ngase ti i mbrojte! Ti bëre shumë për ne, komandant. Por, ne nuk të graduam! Ne nuk shkrepëm as edhe një fishek, në shenjë nderimi për ty, komandant! Ne të përcollëm pa nderime shtetërore! Na fal, komandant.
Gjeneralët, komandant, që nuk shkrepen asnjë plumb gjatë luftës, ishin të zënë pas gradave! Udhëheqësit, komandant, të cilët arritën të jenë të tillë, duke u thirrur në emër të luftës, ishin të zënë pas mëditjeve. E ne këtu, komandant, ishim të vegjël të bënim më shumë, sepse ne mbetëm vetëm si bashkëluftëtarët tu. S’kemi grada, poste, pushtet… Na fal, komandant.
Por, mos u brengos komandant. Ti do t’jesh i lartësuar në parajsë! Atje të presin dëshmorë e heronj krah-hapur dhe të gëzuar, duke pritur nga ti me padurim lajme rreth situatës aktuale në Kosovë. Por, mos iu trego komandant! Mos iu trego se luftëtarët s’kanë bukë! Se luftëtarët u përçanë, se disa u bënë milionerë! Mos iu trego, komandant, se luftëtarët u tradhtuan, se u dënuan, u gjykuan e u vranë në pabesi! Mos iu trego për këto gjëra, komandant! Të lutem, mos! Se kam frikë, komandant. Frikësohem nga gjaku i dëshmorëve. Mos komandant, se kam frik nga mallkimi i tyre. Thuaju, vetëm që jemi shtet, komandant. Ashtu thuaju, nëse do që ata të prehen të qetë, bashkë me ty, komandant.
E ju, Burim, Dardan, Dhurata. Ju ndihuni krenarë për babanë tuaj. Edhe ju bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë, si dhe ju njerëz atdhedashës, krenohuni me komandantin tonë – Zahadin Krasniqin.

Leave a Reply