Fjala ime e rastit!

mifail bytyci prizrenNga: Mifail BYTYÇI


 Në qytetin e Kukësit, para 15 vjetësh, qindra e mijëra kosovarë përjetuan lirinë dhe çlirimin nga robëria serbe. Si gazetar, pikërisht këtu në Kukës kam përjetuar dy momentet më të rëndësishme të jetës sime. Ishin momente, kur këtu, nga studioja e TV Kukësit, raportoja për jetën dhe vdekjen, vuajtjet, dhunën dhe tmerrin që ushtronte sistemi i egër serb ndaj popullit tim. Mëpastaj, 15 vjet më parë, pas ndërhyrjes së forcave ajrore të NATO-s, raportoja edhe për gëzimin dhe lirinë, për momentet e lumturisë së njerëzve, që më në fund fituam të drejtën për të jetuar në liri. Ato momente nuk mund t’i harroj dot kurrë. Nuk mund t’i harroj as mbështetjen, pikëpamjet e drejta dhe gatishmërinë e shprehur të kuksianëve dhe gjithë Shqipërisë, për ofrimin e çdo lloji ndihme për këta njerëz të dëbuar nga toka e tyre stërgjyshore që po jetonin momentet më të rënda të jetës së tyre. Thjesht, po mbijetonin, me shpresën për lirinë e atdheut dhe besimin e ngadhënjimit mbi të keqen që po ushtronte shteti serb.
Sot, Kosova është e lirë, shtet demokratik, në rrugë të mbarë drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Kontribut të madh për këtë dha Shqipëria, dhanë kuksianët. Sot, jam shumë i lumtur që kamë qenë në situatë të ushtroja profesionin e gazetarit dhe të raportoja nga Kukësi, nga Shqipëria amë. Sot, ndihem edhe më i lumtur, pasi jam nderuar me mirënjohje nga Këshilli Rajonal i Kukësit. Për të gjitha dhe të gjithëve, ju falënderoj nga zemra.