Mujës i kërkohet transparencë e takimeve të ekzekutivit

komuna prizren transparencaPrizren, 25, prill 2014 – Në forumin “Transparenca” që u mbajt në Prizren, u kundërshtua mbyllja e takimeve të ekzekutivit për publikun, duke u cilësuar si veprim që dëmton demokracinë lokale. “Që nga marrja e një vendimi të këtillë, asnjëherë nuk është dhënë arsyetim i artikuluar dhe bindës për arsyen e kësaj mbylljeje.
Kjo praktikë, e cila bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente, është dëshmia më e mirë se komuna e Prizrenit po dështon në promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë”, u tha në këtë forum, ku u shpreh pakënaqësi dhe mospajtim, në lidhje me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve, për të marrë pjesë në takimet e kryetarit të Komunës së Prizrenit me drejtorët komunalë.
Forumi “Transparenca” i bëri thirrje kryetarit të Komunës së Prizrenit që sa më parë ta anulojë vendimin për mbylljen e takimeve të ekzekutivit dhe t’i rihapë ato, për t’iu mundësuar pjesëmarrjen gazetarëve, monitoruesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve. “Çdo vonesë e kryetarit të Komunës për realizimin e kësaj kërkese, është dështim për promovimin e standardit elementar të qeverisjes transparente, si dhe cenim i së drejtës së qytetarëve për informim”, thuhet në kërkesën e këtij forumi, i cili është një trup joformal, i përbërë nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë nga Prizreni.