Majlinda Kelmendi shpallet kampione evropiane!

majlinda_kelmendi_fitoreParis, 24 prill 2014 – Majlinda Kelmendi ka arritur një tjetër sukses të madh për vetën dhe për Kosovën. Ajo u shpall kampione në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Francë, duke fituar medaljen e saj të parë të kampiones, në një ngjarje të tillë. Kjo është medalje e saj e dytë madhore, pas titullit botëror që fitoi vitin e kaluar. Xhudistja pejane triumfoi në kategorinë e saj (52 kg.), ku u tregua më e suksesshme kundrejt ruses, Natalia Kuziutina, ndaj së cilës fitoi me pikë. Kelmendi ka qenë në top-formë këtë vit, duke e fituar medaljen e artë edhe në dy turnet paraprake, në Samsun të Turqisë dhe në Paris, duke vazhduar kësisoj dominimin e saj në botën e xhudos. Majlinda kaloi direkt në rrethin e dytë të këtij Evropiani, duke qenë me fat në short, teksa aty mposhti rumunen, Alexandra Florian, pa u munduar shumë. Në duelin e saj të dytë, në rrethin e tretë, xhudistja nga Kosova triumfoi përsëri para kohe ndaj xhudistes nga Armenia, Zhanna Stankevich, duke siguruar kështu kualifikimin për meçet finale. Në gjysmëfinale u tregua më e mirë se gjermania, Mareen Kraeh, teksa në finale mposhti rusen, Kuziutina.
Paraprakisht, në këtë Evropian u eliminuan dy xhudistët tjerë nga Kosova, Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi. Kjo e fundit u mposht në duelin e parë nga xhudistja turke, Sumeyye Akkus, teksa Akili u mposht në rrethin e dytë nga ukrainasi, Georggi Zantaraia.

Leave a Reply