Ti je Donika – Nuk je Jusufi!

Ti je Donika – Nuk je Jusufi!

Nga: Selim KRYEZIU


• Të martën kryetarët e Degëve patëm mbledhje. Mbledhja nuk zgjati shumë. Morëm materialet e nevojshme, meqenëse të premten kishim mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm. Në mbledhje nuk e pashë Donikën, por pastaj në kafenenë, afër zyrave të partisë, e pash të ulur me kryetarë degësh. U ula edhe unë. Më erdhi shumë mirë që ishte Donika aty. Nuk e kisha pas më afër asnjëherë. Shkëmbyem mendime. Folëm të gjithë, kuptohet, secili me “takat” të vet.
Donika me të drejtë thoshte se e vetmja parti në Kosovë ku ka demokraci, është LDK-ja, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të jemi të kënaqur me kaq. Ne duhet ta shtojmë, ta rrisim demokracinë e brendshme. Jam dakord Donikë, kurrë nuk duhet rënë në vetëkënaqësi. Gjithmonë ka nevojë për më shumë. Jam nga ata që nuk pranoj teorinë “demokraci e tepruar”, të tillë nuk ka.
Nëse unë kam dëgjuar mirë Donikë, Ti fole fjalë miradije për kryetarin, njëkohësisht kryeministrin e Kosovës, pra për Isën. E njoh për shumë vite… është profesionist…. është njeri i përpiktë… kemi qenë bashkë në fushatë… etj, etj…
Meqenëse flisnim si miq dhe flisnim për gjëra që na preokupojnë të gjithëve që ishim në tavolinë, thash edhe nja dy tri fjalë. Nuk zbulova Amerikën, kuptohet, por shpreha mendimin tim… Se kuptoj pse ekziston gjithë ky zell kundër LDK-së. Sulmet që i bëhen Isës për ne është një gjë e njohur, është një “Deja vu”. E kemi parë edhe me Presidentin Rugova edhe me Presidentin Sejdiu dhe tani edhe me Kryeministrin Mustafa. Bile e kemi parë edhe me Vjosën. Kur panë një ngritje të reputacionit të saj, filluan DEBATIKASIT: …ajo që rrëzoi dy presidentë, ajo që… etj… Nuk e kanë problemin me individin, qoftë ai edhe lideri, por problemin e kanë me LDK-në.
Në ndarje, duke i dhënë dorën i thash: MOS NA U LARGO DONIKË!!!

***

Të premten gjithçka nisi zakonshëm. Gjetja e emrit në listë, nënshkrimi, përshëndetje me miq, etj… U aprovua rendi i ditës dhe Kryetari po paraqiste raportin e punës. Një zë dëgjohej nga jashtë, zë i cili vinte duke u shtuar në intensitet. S’ja kisha idenë as unë e as të tjerët çfarë po ndodhte në korridor. Fillimisht menduam se dikush po bashkëbisedon me zë të lartë. Salihi doli pa të keq që tua tërheq vërejtjen për qetësi. Dëgjova zërin e Donikës. Pastaj, zëra edhe më të lartë, britma, përplasje, thyerje… Isa ndali raportimin. “Vazhdo Kryetar” – dhe ai e vazhdoi. Nuk e dinte çfarë po ndodhte. Pastaj u diskutua për probleme e të arritura; u dhanë kritika e lëvdata meritore e jo meritore. Pastaj, dolëm. Donika nuk ishte aty, kishte shkuar, kishte përfunduar “misionin” e shenjt, denigrimin e Isës dhe LDK-së. Hallall! Ajme për ne! Kamerat rrinin gatitu. Gazetarë, portalista, sehirxhinj, djalli e i biri, të gjithë në këmbë fërkonin duart, sidomos këta të fundit. Personazhet dytësor (kryepersonazhi dihet) të shout pastaj kurdiseshin radhazi para kamerave. Rrëfeheshin, bënin sakramentin e rrëfimit, sikur besimtarët para priftit. Për dallim ata rrëfenin për mëkatet e të tjerëve, jo për mëkatet e veta. Hapa internetin. Sihariqi ishte dhënë me shpejtësi drite. Sharje, fyerje, lot që edhe krokodili do ua kishte lakmi. “Tërhiqet zvarrë vajza e…,  vrasja e dytë e…” O Zot o Zot, shtiekqitë, derdimenet, llafazanët, patriotë që as P-në nuk kanë nga patrioti, thashethemexhinj profesionistë, etj etj.

***

Mu kujtua biseda me Donikën. “Gjithë ky zell kundër LDK-së”. Ti Donika s’je nga ata të “zellshmit”, jo, jo se besoj, apo s’dua të besoj. S’dua?! Unë të thash: MOS NA U LARGO DONIKË! Apo ka ardhur koha të tërheq fjalët?! Po unë kam përgatitur sa e sa herë, si mësues, orë letrare për Flaken e Janarit, për Jusufin, për Bardhoshin, për Kadrinë, dhe do e bëj sërish kur të më jepet mundësia. Po ti je Donika, nuk je Jusufi, apo jo?! Se as unë s’jam Zaimi, ai anonimi që punonte dikur në Salzburg të Austrisë për të ruajtur pesë djemtë dhe vajzën e tij. “Medet sa ngushtë këtu, mes tokës e qiellit”, do thoshte ai rugovasi i mençur nga Shkreli! Donikë, më fal, por unë vërtet jam i trishtuar nga ulërima, histeria, zelli… yt, prandaj, po i  tërheq fjalët e mia: “Mos na u largo”! E Ti, si të duash. “Balta baltës, shpirti shpirtit”. Paq fat!

P.S.  E di se patriotët e shtiekeqitë tani do nisin fushatën kryqëzuese kundër meje,  por unë jam i qetë, u mësova me gjithçka dhe “me vdekjen luaj si me një kokë maceje”.

(Autori është Kryetar i degës së LDK-së në Dragash. Pikëpamjet e shprehura në këtë përmbajtje, nuk paraqesin domosdoshmërish edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)