Shkolla “Sezai Surroi” kremtoi 54-vjetorin e themelimit!

Shkolla “Sezai Surroi” kremtoi 54-vjetorin e themelimit!

Bellobrad, 23 maj 2016 – Njëra ndër shkollat më të mëdha fillore dhe e mesme e ulët në komunën e Dragashit, sot kremtoi 54-vjetorin e themelimit, si dhe 90-vjetorin e lindjes së “Sezai Surroit”, emrin e të cilit e mban kjo shkollë në Bellobrad.
Për ta madhështuar festën, mysafirë ishin një delegacion i përbërë nga nxënësit, arsimtarët dhe drejtori i Shkollës Fillore dhe të Mesme të Bashkuar “Elmaz Ademi” nga Bardhoci i Kukësit, si dhe motrat e Sezai Surroit, Shadija dhe Hadija, të cilat i dhuruan kësaj vatre arsimore disa foto karakteristike të Sezaiut dhe disa tituj librash. Pjesë e ceremonisë ishte edhe zbulimi i bustit të Sezai Surroit, në korridorin e shkollës së re, ashtu siç ishte dikur edhe në objektin e vjetër, si dhe ekspozita e pikturave të personaliteteve të shquara shqiptare dhe të huaja, të punuara nga mësimdhënësi i artit, Uran Bahtiari.
Për biografinë, investimet dhe mbarëvajtjen e kësaj shkolle foli drejtori i saj, Ziqiri Skenderi, ndërsa për arsimin e gjithëmbarshëm në komunën e Dragashit foli drejtori komunal i Arsimit, Hajri Ramadani. Që të gjithë e vlerësuar pozitive periudhën gjysmëshekullore të veprimtarisë së shkollës në Bellobrad, e cila nxori gjenerata të tëra të arsimuara, ku disa prej tyre kanë bërë emër në arenën kombëtare dhe jo vetëm. Për ta madhështuar këtë ceremoni, nxënësit e shkollës, të udhëhequr nga arsimtarët, Muhamed Kryeziu dhe Xheladin Elezi, shfaqen program të pasur kulturo-artistik. Pjesë e këtij programi ishin edhe nxënësit mysafirë nga Bardhoci, si dhe nxënësit nga shkolla e Llapushnikut, të njohur për nga paraqitjet e tyre në akrobacione gjimnastikore, të udhëhequr nga arsimtari, Shukri Shala.