Rrahet zyrtari i QPS-së, në mes të sheshit!

Rrahet zyrtari i QPS-së, në mes të sheshit!

Dragash, 23 maj 2016 – Udhëheqësi i Skemës së Ndihmave Sociale në QPS-në e Dragashit, Shefqet Halili, është rrahur sot në qendër të Dragashit, në sheshin kryesor të kësaj qyteze jugore të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për Radio Sharrin një burim i sigurt, brenda Stacionit policor në Dragash, duke sqaruar se ngjarja kishte ndodhur përballë ndërtesës së Komunës, kur një person nga fshati Shajnë, e kishte grushtuar këtë zyrtar të Qendrës për Punë Sociale në Dragash. “Një i ri nga fshati Shajnë, mbase i pakënaqur që nuk është përfshirë në asistencën sociale, e ka grushtuar disa herë zyrtarin në fjalë, duke i shkaktuar lëndime trupore, për ç’gjë është shpënë me urgjencë në Spitalin rajonal të Prizrenit. Pas trajtimit mjekësor, i njëjti është lëshuar për tretman shtëpiak”, ka njoftuar burimi nga Policia e Dragashit.
Drejtori i QPS-së në Dragash, Ibrahim Gashi, ka thënë për Radio Sharrin, se kësaj ngjarjeje të sotme i kishte paraprirë një tentim më i hershëm për ta sulmuar fizikisht Shefqet Halilin, po nga i njëjti person por që ai ishte parandaluar nga punëtorët tjerë të QPS-së. “Në fillim të këtij viti, personi i njëjtë ka tentuar ta sulmojë këtë zyrtar, por që është parandaluar nga zyrtarët tjerë të QPS-së. Rastin e kemi paraqitur në polici, kjo e fundit në prokurori dhe, ende nuk është gjykuar ky rast. Sot, ja ku ka ndodhur edhe më keq. Zyrtari jonë është sulmuar fizikisht dhe ka marrë lëndime të konsiderueshme në sy dhe në kokë”, tha Gashi për Radio Sharrin, duke konfirmuar se shkas për këtë sulm ishte refuzimi që ky i ri të përfshihej në skemën e ndihmës sociale, pasi të njëjtit i punon babai në gjykatë dhe kjo ia pamundëson përfitimin e ndihmës sociale.
Mësohet se, pasi është trajtuar në Spitalin e Prizrenit, Shefqet Halili është marrë në pyetje nga Policia e Dragashit, ku ka dhënë deklaratën, në lidhje me arsyet se përse ka ardhur deri tek ky incident.

Leave a Reply