Indinjata e Mjerimit!

enida bozheku opinionNga: Enida BOZHEKU


Çdo ditë e më shumë po e kuptoj që, mjerisht, Shqipëria do të vazhdojë të ngelet blozë! Këtë e them me keqardhje, sepse e vërteta është që çdokush do të dëshironte ta mbante kokën lart, duke u mburrur për vendin e vet. Por jo. Me Shqipërinë kjo nuk po ndodh! Arsyet janë të ndryshme. Ja disa prej tyre:
– Kur takon një të huaj me peshë në vendin e tij, e që ka të bej me Shqipërinë, e para gjë që të thotë është: “Më vjen keq, por ju keni një problem të madh… Korrupsionin”. Në fakt, mundohesh ta kundërshtosh, apo ta arsyetosh se nuk është kështu. Por, në vetvete e di se ai ka të drejtë. E di se shumë politikanë provincialë, bastardë të etur për para, ndonëse në varr do shkojnë sikurse ne, ata shpirtin ia kanë shitur djallit. Kjo, sepse ata nuk kanë vlera e as moral, nuk kanë dinjitet dhe as shpirt e mendje. Ata shesin djersën, shëndetin, të ardhmen e brezave të rinj, si dhe bukuritë e vendit të tyre, për pesë para. Këta horra ordinerë nuk pyesin, nëse një i huaj vjen dhe e shfrytëzon, e shkatërron dhe e zhvat vendin e tyre. Mjafton që atyre t’ia mbushë xhepat me para. Prandaj, ne sot kemi nevojë për mend, ideale dhe shpirt. Sot nuk ka më vend për ankesa tek politika. Sot kemi nevojë të besojmë tek vetvetja, që ta kuptojmë se politika është thjesht një prostitutë e sferave zhvatëse. Sa më injorant dhe i varfër të jetë populli, aq më mirë do jetë për krerët e politikës, sepse rrenat e tyre shiten më lehtë.
Jemi një popull i vogël, njihemi mes vete, pothuajse të gjithë. Prandaj kemi nevoje t’i edukojmë brezat e ardhshëm për mirësinë, rregullat e demokracisë, respektin ndaj njëri-tjetrit, si dhe t’i edukojmë që ta njohin vlerën e punës. Këtë e kemi në dorë ne, jo politika.
Përderisa nuk do ta bëjmë këtë, politika do të mbetet padrone e jetës sonë, duke na lënë të mbesim skllevër të saj. Duhet të zgjohemi dhe ta kërkojmë dinjitetin tonë. Mjaftë më me servilizëm ndaj politikës. T’i thërrasim guximit, po qe se duam të jetojmë të qetë dhe me dinjitet, sikurse e gjithë Evropa. Ndryshimi jemi ne, prandaj ta lartësojmë vetën, përmes dijes. Të mos lejojmë që të jetojmë në errësirë, duke duruar që të na zhvatin disa “paçavure” dhe “fytyrë-opingat”. Të ndërgjegjësohemi, duke mos lejuar që politika të na mbizotëroj përmes një grushti parash, duke na blerë dinjitetin tonë, për të na lënë në fund të vdesim rrugëve, sikur të na godiste Murtaja!

Leave a Reply