Babai im nuk ishte “udbash” – Hutinë e krijoi “Bota Sot”!

hazer dana sqarimNga: Hazer DANA


• Në gazetën “Bota Sot”, të datës 04 shkurt 2014, është botuar një artikull me titull “UDB-ashët e Kosovës, me emër dhe mbiemër”. Në mestitullin “UDB-ashët që i torturonin të burgosurit”, në numrin rendor 6, përmendet edhe emri i “udbashit” të njohur, Muharrem Dana, nga Gjakova.
Përpos emrave që jepen brenda këtij mestitulli, gjithsejtë 21, nuk jepen për asnjërin detaje, të paktën të sqarohej se nga cili vend janë, në cilin sekretariat kanë punuar apo edhe në cilin burg kanë torturuar të burgosurit.
Dihet se në Kosovë ka shumë raste, kur dy e më tepër persona e kanë emrin dhe mbiemrin e njëjtë. Edhe në këtë rast, ka rastisur që emri i babait tim të jetë i njëjtë me emrin e inspektorit të sigurimit shtetëror, Muharrem Dana. Ndonëse banorët e Opojës e dinë se ku ka punuar babai im, i cili ka ikur nga kjo botë në vitin 2010, ndjej si obligim që të sqarojë se personi që është apostrofuar në këtë artikull, nuk është babai im. Por, ai person për të cilin bëhet fjalë, ka qenë inspektor i sigurimit shtetëror, në Sekretariatin e Punëve të Brendshme (SPB) të Gjakovës. Ndërsa babai im, as nuk është nga Gjakova, as që ka punuar ndonjëherë në Gjakovë e as në ndonjë SPB.
Ndonëse nga ajo datë ka kaluar një kohë relativisht e gjatë dhe për banorët, pak a shumë, emrat publikë të njerëzve që kanë punuar në UDB dihen në secilën komunë, nuk e shoh të arsyeshme që të reagoj, sepse me asgjë nuk ndërlidhet personaliteti i babait tim. Megjithatë, pasi redaksia që i ka publikuar këta emra nuk i ka dhënë sqarimet për secilin se nga është, si dhe për t’iu shmangur çfarëdo keqkuptimi apo edhe shqetësimi të shokëve, miqve dhe dashamirëve të babait tim dhe familjes sonë në përgjithësi, po e bëj këtë sqarim për qytetarët. Emri i vërtet i “udbashit” është, Muharrem Fetah Dana, nga Gjakova, kurse babai im quhet, Muharrem Hazer Dana, nga fshati Brrut i Dragashit.