Thaçi ua dedikon qytetarëve nominimin e tij për Nobel!

hashim thaci nobelPrishtinë, 24 dhjetor 2013 – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes rrjetit social “Facebook” ka komentuar nominimin e tij për Çmimin Nobel për Paqe, për të cilin ka thënë se ky çmim iu takon qytetarëve të Kosovës. “Dje mora lajmin se Kongresi Amerikan më ka nominuar për Çmimin Nobel për Paqe. Sigurisht që u ndjeva i nderuar. Por, dua t’ju flasë nga zemra, pavarësisht se çka ndodh tutje. Nobelin për Paqe, heroizëm, qëndresë e pjekuri, më shumë se kushdo tjetër, e meritoni Ju, qytetarë të Kosovës”, ka shkruar Thaçi, duke shtuar se këtë çmim e meritojnë të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin dhe shtetformimin e Kosovës. “E meritojnë mësuesit që me vetëmohim hapen shkollat e para e na mësuan gjuhën dhe historinë tonë. Profesorët e parë të Universitetit të Prishtinës, që çdo ditë ecnin në teh të rrezikut, që krahas dijes na edukuan me atdhedashuri e dinjitet. E meritojnë mjekët, që na shëruan plagët, ushtarët që në altarin e atdheut dhanë jetën për liri, duke u bërë dëshmorë të përjetshëm, invalidët e luftës, familjet e dëshmorëve – heronjtë e lirisë së Kosovës, që janë themeli i shtetit tonë të ri”, thuhet më tej në deklaratën e kryeministrit Thaçi.
Vendimet e tij politike, Thaçi i ka arsyetuar me interesin e përgjithshëm të Kosovës, duke e pranuar se jo të gjitha vendimet kanë qenë të lehta. “Çdo vendim politik që kam marrë në jetë, sado i vështirë e jopopullor të ketë qenë ai, në momente të caktuara, e kam marrë duke i pasur parasysh interesat e Kosovës dhe të kombit tim. Një shpresë e rilindur, një mundësi më e mirë për të ardhmen e fëmijëve tanë ka qenë dhe mbetet motivi im i vetëm jetësor dhe politik. Besimi juaj në këtë rrugëtim, është vlerësimi më i lartë për mua. Të tjerat kanë më pak rëndësi. Prandaj, nominimi për Nobel, ju takon ju qytetarë të Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Leave a Reply