Epoka e bashkimit – Filloi në Prizren, vazhdon në Vlorë!

rama thaci prizrenPrizren, 11 janar 2014 – Në qytetin e Prizrenit, në jug të Kosovës, sot u mbajt takimi i përbashkët i dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës. Mbledhje e përbashkët e organizuar nga dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, u cilësua historike sepse ndodh për herë të parë në historinë e dy shteteve.
Të dy kryeministrat nënshkruan në kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit deklaratën për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Kjo marrëveshje përfshinë fushën e transportit, infrastrukturës dhe bashkëpunimin tregtar. Gjithashtu, dy kryeministrat u pajtuan që të themelojnë edhe një fond të përbashkët për Luginën e Preshevës, i cili do të ketë fillimisht shumën prej 100 mijë eurosh. Mbledhjen e përbashkët e hapi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin. “Ka vullnet politik, si në Prishtinë ashtu thaci rama prizrenedhe në Tiranë, që marrëdhëniet tona të jenë shembull për të gjithë rajonin. Ndonëse jemi në një familje, nuk do të thotë që lidhjet të mos kultivohen. Është momenti që të kultivohen dhe nevojiten momente të tilla për t’i çimentuar këto marrëdhënie. Unë besoj se ekspertët tanë do të punojnë bashkërisht për shqyrtimin e marrëveshjeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit tonë”, tha kryeministri Thaçi. Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo nismë është pikënisje e një rrugëtimi të përbashkët institucional, për zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës. “Rruga e re e bashkëpunimit që inaugurojmë sot, duhet të zgjatet përtej mandateve tona. Perspektiva të reja dhe të ndryshme duhet të jenë për dy vendet. Janë 15 perspektiva konkrete bashkëpunimi, hapat e para të të cilave do të hidhen në këtë mbledhje historike”, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Takimi i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ishte i paraparë të mbahej që në nëntor të vitit të shkuar, mirëpo, për shkak të zgjedhjeve lokale në Kosovë, mbledhja u shty për datën e sotme. Mbledhja e radhës e përbashkët e dy qeverive, do të mbahet në qytetin e Vlorës, por data ende nuk u publikua. Tërthorazi, Rama përmendi fundin e majit dhe fillimin e qershorit.

Leave a Reply