Salustro nuk tërhiqet, e do Limajn prapa grilave!

fatmir limaj salustroPrishtinë, 29 nëntor 2013 – Ndërkohë që mbrojta e deputetit, Fatmir Limaj, sot ka pranuar aktgjykimin lirues, në formë të shkruar, për dhjetë ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët ishin shpallur të pafajshëm për herë të dytë, në rastin “Kleçka”, prokurori i EULEX-it, Mauricio Salustro, po sot është ankuar ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore, duke pretenduar se Gjykata ka bërë “përcaktim të gabuar të gjendjes faktike”. Salustro ka deponuar në Gjykatën Supreme të Kosovës ankesë, duke pretenduar se vendimi i Gjykatës Themelore kishte mangësi dhe se është shkelur procedura penale, duke dhënë vërtetim të gabuar të gjendjes faktike. Sa i përket shkeljes procedurale, Prokurori mendon se Gjykata Themelore ka bërë disa gabime ligjore dhe shkelje substanciale të dispozitave të procedurës penale. Duke e përshkruar gabimin në vërtetimin e gjendjes faktike, Salustro ka radhitur pesë raste, ku Aktgjykimi i Gjykatës Themelore, sipas tij, kishte konkluduar gabimisht që dëshmia e Agim Zogajt, nuk është e besueshme.
Avokatët mbrojtës të Fatmir Limajt, kanë thënë se nuk brengosen fare për ankesën e Prokurorit ndaj aktgjykimit lirues. Avokati, Tomë Gashi, ka thënë se rasti është i sqaruar në mënyrë të kristaltë, prandaj nuk ka vend për tu shqetësuar, se Limaj mund t’iu rikthehet peripecive nëpër gjykata.
Fatmir Limaj është shpallur i pafajshëm, në të gjitha pikat e aktakuzës, bashkë me nëntë bashkëluftëtarët e tij, më 17 shtator të këtij viti, nga një trup gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Por, një javë më vonë, Salustro kishte paralajmëruar se do të bënte ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, për ta kundërshtuar këtë vendim.