Naser Arifi dënohet me kusht – I vjen keq që sulmoi kryesuesin e Kuvendit!

Naser Arifi dënohet me kusht – I vjen keq që sulmoi kryesuesin e Kuvendit!

Dragash, 27 qershor 2019 – Gjykata Themelore e Prizrenit, dega në Dragash, e ka dënuar, Naser Arifin, me gjashtë muaj burgim me kusht, sepse ka sulmuar personin zyrtar, saktësisht, kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Dragashit, Betim Merdiun. Por, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet në periudhën verifikuese prej një viti, nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale.
Gjykatësi, Bekri Vehapi, e ka obliguar të pandehurin me shpenzimet procedurale, 30 euro në emër të viktimave të krimit, 40 euro për ekspertizën mjekoligjore dhe 20 euro në emër të paushallit gjyqësor. Në seancën fillestare të së enjtes, i pandehuri Arifi, para shpalljes së aktgjykimit, e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. “E pranoj fajësinë me vullnet dhe pa presion. Më vjen keq për këtë që ka ndodhur. Nuk do ta përsëris më”, ka thënë ndër të tjerash i pandehuri Arifi.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori, Shpend Binaj, pasi që, siç ka thënë ai, është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe është në përputhje me dispozitat, në të cilat mbështetët aktakuza.
Sipas aktakuzës së ngritur më 19 prill 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Naser Arifi, akuzohet se më 15 shkurt 2019, rreth orës 14:30, në fshatin Bresanë të Dragashit, ka sulmuar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, raporton – Betimi për Drejtësi.