Granit Rifaj pranon fajësinë – Dënohet me 100 euro gjobë!

Granit Rifaj pranon fajësinë – Dënohet me 100 euro gjobë!

Dragash, 27 qershor 2019 – Asamblisti i Komunës së Dragashit, Granit Rifaj, është dënuar me 100 euro gjobë, për mosdeklarim të pasurisë. Aktgjykimi ndaj tij është shpallë të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prizrenit, dega në Dragash pasi që Rifaj e ka pranuar fajësinë. “Unë këtë veprim e kam bërë në mënyrë të paqëllimshme, për gjashtë muaj rresht. Në atë kohë kam qenë jashtë vendit. Nëna ime ka qenë e sëmurë dhe unë kam qenë në spital, si shoqërues i saj. E pranoj fajësinë, edhe pse e kam bërë pa qëllim. Më vjen keq”, ka thënë i akuzuari Rifaj.
Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit nuk e ka kundërshtuar prokurori, Shpend Binaj, pasi që, siç ka thënë ai, është bërë në mënyrë të vullnetshme dhe në pajtim me dispozitat ligjore.
Gjykatësi Bekri Vehapi, të akuzuarin Rifaj e ka obliguar edhe me shpenzimet procedurale, 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në emër të viktimave të krimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, i pandehuri Granit Rifaj, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, asamblist në Komunën e Dragashit, nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e të ardhurave, dhuratave, dobisë pasurore ose detyrimeve financiare. Sipas aktakuzës, këtë deklarim është dashur ta bëjë në vitin 2016, në Agjencinë Kundër Korrupsionit në Prishtinë, në afatin e paraparë me ligj. Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale, mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, vepër kjo që e ngarkon neni 437, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
I kontaktuar nga redaksia jonë, Rifaj ka thënë se, ai në fakt kishte raportuar por me vonesë, për shkak se nuk ka qenë në Kosovë. “Në fakt, unë raportimin e kam bërë por me vonësë. Kjo sepse, siç e kam thënë edhe para gjykatës, isha përcjellës i nënës sime në një spital jashtë Kosovës”, tha Rifaj.