Jenuzi e Rifaj përfundojnë procedurat e provave në gjykatë (Video)

salim jenuzi gjykataPrizren, 17 janar 2015 – Në procesin gjyqësor, ku të akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare janë kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, si dhe ish-kryesuesi i Kuvendit të kësaj komune, Lulzim Rifaj, të premten dha deklaratën ky i fundit, me të cilën ka përfunduar procedura e provave në këtë proces. Rifaj, i cili aktualisht është konsull në ambasadën tonë në Sofje të Bullgarisë, bashkë me kryetarin Jenuzi, akuzohen se pronën e ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi” e kanë bartur në pronësi të Komunës.
Në deklaratën e dhënë para gjykatës, Rifaj tha se kërkesa për shpronësimin e pronës, nga NBI “Sharr-Prodhimi” tek Komuna e Dragashit, ka ardhur nga këshilltarët e Kuvendit të Dragashit, transmeton portali Kallxo. “Këtë propozim e ka kundërshtuar kryetari i Komunës, Salim Jenuzi, mirëpo me propozimin e 10 këshilltarëve nga parti të ndryshme, si kryesues i Kuvendit kam marrë vendim për futjen në rend të ditës të këtij propozimi. Pas kryerjes së mbledhjes, ku kemi vendosur për ta futur në rend të ditës, kryetari e ka kundërshtuar dhe s’jemi marrë më me atë çështje. Nuk ka treguar se, përse po e kundërshton, por kryetari ka thënë se mendimi i tij është që mos të hyjë kjo pikë në rend të ditës. Unë i kam thënë se është mendimi i tij, por ne vendosim për këtë çështje”, tha Rifaj, duke mbetur në tërësi në deklaratën që i kishte dhënë prokurorisë. Me propozimin e avokatit, Fatmir Jëlliqi, seanca gjyqësore e së premtes është ndërprerë. “Iu drejtova kryetarit të trupit gjykues, me kërkesë që të më lirojë nga vazhdimi i seancës, pas pauzës, dhe kjo ka të bëjë me pjesëmarrjen në një funeral”, ka thënë Jëlliqi. Prokuroria akuzon Jenuzin, se në cilësi të kryetarit të Komunës së Dragashit, ka urdhëruar drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrës që ta bartë pronën shoqërore, në sipërfaqe prej 29.7 hektarësh, prej ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi” në pronësi të Komunës të Dragashit. Më pas, këtë pronë Jenuzi ua dha në shfrytëzim blegtorëve, pa ndonjë bazë juridike. Ndërkaq, Rifaj akuzohet se, si kryesues i Kuvendit të Komunës së Dragashit, e futi në rend dite këtë bartje të pronës shoqërore, duke i bindur këshilltarët që ta votojnë propozimin, edhe pse e dinte se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi, sipas së cilave menaxhimi i pronës shoqërore i përket AKP-së.
Seanca e radhës, ku do të jepet fjala përfundimtare e palëve, do të mbahet më 19 janar 2015.

• Shiko VIDEO

Leave a Reply