Gjykimi ndaj Adem Hoxhës nuk ka të sosur!

Gjykimi ndaj Adem Hoxhës nuk ka të sosur!

Dragash, 27 janar 2020 – Në seancën e sotme kundër deputetit të Kuvëndit të Kosovës, nga radhët e komunitetit goran, Adem Hoxha, sërish u mor në pyetje vetëm një dëshmitar, ndërkohë që në radhë janë edhe disa të tjerë, e që, po vazhdoi me këtë ritëm, vështirë se do të përfundojë shpejtë. Madje, dëshmitari i sotëm, Avdulla Haliloviq, nuk e ka përfunduar ende dëshminë e tij, kështu që pritet të merret sërish në pyetje në seancën e radhës, e cila është caktuar për datën 26 shkurt. Si shkak kryesor për stërzgjatjen e këtij procesi, sipas palëve, po konsiderohet përkthimi, i cili ende nuk është simultant por po bëhet aty për aty e që po e dyfishon kohën e procesit.
Sido që të jetë, dëshmitari Haliloviq, të cilin e ka kërkuar prokuroria, iu përmbajtë në tërsi deklaratës paraprake, të cilën e kishte dhënë në polici, ku sipas asaj deklarate, e gjithë mosmarrëveshja ishte shkaktuar për faktin se, Fatir Berzati, ia ka bllokuar Hoxhës e-mailet e partisë, të cilët i menaxhonte deri në atë kohë. “Adem Hoxha e ka pyetur se përse nuk po i funksionojnë e-mailët dhe kishte ngritur zërin. Pas kësaj ngritet nga karrika por që kanë ndërhurë të pranishmit në mbledhje dhe nuk i kanë lejuar të kenë kontakt fizik”, kishte deklaruar dëshmitari në polici, duke e mohur se ka ardhur deri tek sulmi fizik.
Më pas, dëshmitarin e ka pyetur edhe i dëmtuari, Fatir Berzati, ku mes tjerash e pyet, nëse deklaratat po i jep nën ndikim të ndonjë presioni, por dëshmitari e mohon kategorikisht këtë. Ndërkohë që ka refuzuar të përgjigjet edhe në pyetjen e e radhës, se çfarë pozite kishte në atë kohë i biri i tij, Fejsal Halilovi, i cili tashmë mban pozitën e drejtorit komunal për Bujqësi, Zhvillim dhe Inspekcion në Dragash.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JGP) në Dragash, me dashje ka përdor forcë ndaj personit tjetër. Në aktakuzë thuhet se, vëllezërit Fatir dhe Berzat Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët: “Ti nuk meriton të më përshëndesësh mua”. Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës, i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar, tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati, me fjalët: “Ti del në rrugë sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejtë të qëndrosh aty. Berzati, duke dalë jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet edhe me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin, Fatir Berzati. Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar, i pandehuri Hoxha seriozisht i kanos të dëmtuarit, Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë, vepra apo gjeste, se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe.
Pas seancës, i akuzuari Hoxha deklaroi për redaksinë tonë se, i gjithë ky proces ka mundur të përfundojë shpejtë, bazuar në rrjedhën e ngjarjeve, ku, sipas tij, qartazi kuptohet se këtu nuk bëhet fjalë për dhunë apo kërcënim ndaj vëllezërve Berzati, por këta të fundit vetëm duan t’i hakmerren për shkak se, Fatir Berzatin nuk e ka lënë ta vazhdojë postin e zv-ministrit. “Ky tipi (Fatir Berzati) për një kohë të gjatë e bënte sekretarin tim dhe menaxhonte e-mailet e partisë dhe gjithçka tjetër, madje më shërbente edhe si truprojë. Prandaj e propozova në postin e zv-ministrit nga partia që drejtoj unë. Dhe, për arsyet që vetëm ai i di, mi kishte bllokuar e-mailet. Prandaj, në ditën kur ai pretendon se e kam sulmuar (26 nëntor 2017) unë i kam kërkuar sqarime për këtë. Pasi e kisha humbur besimin, të nesërmen kërkoj shkarkimin e tij nga posti i zv-ministrit për Zhvillimit Ekonomik. Më datën 5 dhjetor 2017, kryeministri Haradinaj merr vendim për shkarkimin e tij. Pasi e kupton këtë, ky tipi, të nesërmen e paraqet rastin në polici. Domethënë, dhjetë ditë pas atij debati më denoncon në polici”, tha për redaksin tonë Hoxha.
Nga ana tjetër, vëllezërit Berzati nuk kanë dashur të deklarohen për redaksinë tonë. Madje, ish-zëvendësministri, Fatir Berzati, na paralajmëron se dikush tjetër do të merret me raportimet tona nga ky proces, duke vlerësuar se ne po raportojmë njëanshëm.