Akuza e kundërakuza, në garën për Prizrenin!

thaci ldk bdPrizren, 29 nëntor 2013 – Në tubimin përmbyllës të Partisë Demokratike të Kosovës, në Prizren, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se Prizreni është i PDK-së, dhe se në balotazhin e së dielës, fitues do të jetë, Ramadan Muja. “Më 3 nëntor, Muja fitoi me 8 mijë vota, kundrejt rivalit të tij, ndërsa fitorja e së dielës do të jetë me mbi 16 mijë vota”, parashikoi Thaçi, duke e ironizuar rivalin politik, koalicionin LDK-BD, të cilin e ka cilësuar si çift të dëshpëruar politik dhe si humbës. Nga ana tjetër, Eqrem Kryeziu dhe Zafir Berisha, i kanë thënë Thaçit se ka dalë nga takti, pasi po e ndjen frikën e humbjes. “Thaçi, nga frika e humbjes në Prizren, ka dalë taktit. Kritikat që i ka bërë Thaçi ndaj koalicionit tonë, janë logjikë shumë e ulët e kryeministrit të Kosovës”, i është kundërpërgjigjur Thaçit, Eqrem Kryeziu, kandidat i LDK-së për kryetar të Prizrenit, i cili tashmë ka mbështetjen edhe nga Zafir Berisha. Kryeziu, sërish ka thënë se tallja më e madhe që i bëhet qytetarëve të Prizrenit dhe vetë qytetit të Prizrenit, është kandidimi i vetë Ramadan Mujës, për kryetar të këtij qyteti. “Muja, jo vetëm që duhet të hetohet për procesin, me të cilin është duke u ballafaquar, por edhe për veprimtarinë e tij, prej kohës sa ka qenë i ri e deri kur u largua regjimit i Milosheviqit. Muja iu ka bërë shumë të zeza bashkëvendësve të tij dhe shumicës së banorëve të Prizrenit”, ka thënë Kryeziu.
Edhe Zafir Berisha (BD) ka thënë se është për keqardhje niveli, në të cilin ka rënë kryeministri Thaçi. “Ky nivel i tij, po tregon se kush është duke qeverisur me Prizrenin. Iu bëj thirrje të gjithë miqve të tij, që ende kanë mbetur në ndonjë qoshe të PDK-së, që të bashkohen me Bashkimin Demokratik, sa nuk është bërë shumë vonë”, ka thënë Berisha.

Leave a Reply