Vitet ikin – Kujtimet për të kaluarën e lavdishme mbesin të përjetshme!

Vitet ikin – Kujtimet për të kaluarën e lavdishme mbesin të përjetshme!

Nga: Zafir BERISHA


• Më 28 korrik 1998, duke u kthyer nga Shqipëria, një grup prej 63 luftëtarëve që kishin qenë për armatim, bie në pritë të forcave serbe dhe, në luftimet e ashpra që u zhvilluan atëkohë në fshatin Buçe dhe mbi fshatin Brezne (krahina e Opojës) bien heroikisht dy ushtarët tanë, Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj. Rënia në krye të detyrës e këtyre dy ushtarëve të zellshëm dhe trima, për ne ishte një humbje e madhe. Humbëm dy ushtarët tanë trima, të cilët çdo herë ishin në krye të detyrës për furnizimin e ushtarëve të UÇK-së me armatim. Nexhati ishte nga ata mërgimtarë që e kishte lënë Zvicrën dhe kishte ardhur për të luftuar për lirinë e vendit, ndërsa familjen e kishte lënë atje. Kurse, Beamiri ishte nga ata djem të ri zhurjanë, i cili kishte ardhur vullnetar në radhët e UÇK-së. Ai ishte me mision në njësitin për furnizim me armatim. Edhe pas rënies së këtyre dy trimave, lufta dhe furnizimi me armë ka vazhduar.
Në nxjerrjen e ushtarëve nga rrethimi, në fshatin Buçe dhe në malet e fshatit Brezne, iu shkojmë në ndihmë, unë me një pjesë të Kompanisë së fshatit Kushtrim, pasi ishte pozicionim më i afërt i UÇK-së me fushëbetejën. Në këtë aksion kanë qenë edhe policia ushtarake dhe, është me rëndësi të thuhet se, në Shtabin Lokal (më vonë Brigada 125) ka qenë edhe Ekrem Rexha – komandant Drini, i cili pas ofensivës së 16 korrikut të vitit 1998 ishte vendosur në Shtabin Lokal të UÇK-së në Vërri dhe kishte detyrën e shefit të Operativës së Shtabit, i cili ishte edhe pjesë e operacionit për nxjerrjen e dy kufomave të dëshmorëve në luftimet e Buçes dhe Breznes, si dhe të plagosurve, ku ishte edhe një pjesë e komandës së Shtabit Lokal dhe një pjesë e Batalionit të Parë dhe Dytë, si dhe komplet Policia Ushtarake, e udhëhequr nga Salajdin Berisha dhe Xhevat Berisha, i shoqëruar nga luftëtarë nga Vërmica dhe Zhuri.
Vlenë të theksohet edhe kontributi i madh i banorëve të këtyre dy fshatrave të Opojës (Buçe dhe Brezne), për t’i dalë në ndihmë luftëtarëve të lirisë, në mesin e të cilëve kishte shumë të plagosur në këtë betejë. Lufta për lirinë e Kosovës vazhdoi me shumë beteja të tjera kundër okupatorit serb, deri më 12 qershor 1999, ku përfundimisht iu dha fund sundimit sllav në tokat tona.