Në Prizren gjykata dënon 4 policë të trafikut – Morën ryshfet!

Në Prizren gjykata dënon 4 policë të trafikut – Morën ryshfet!

Prizren, 10 dhjetor 2018 – Tre zyrtarë policorë, Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Muzafer Sylejmani dënohen me nga 4 mijë euro dhe me burgim, në kohëzgjatje prej 6 muaj, ndërsa Binak Bytyçi mori dënim 5 mijë euro dhe burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh, njoftoi Gjykata Themelore në Prizren.
Prokuroria Themelore e Prizrenit i ngarkonte të akuzuarit se gjatë periudhës, gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejt kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla. Të akuzuarit ngarkoheshin se këto para i kanë marrë nga shkelësit e rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.
Mbrojtësit e të akuzuarve i propozuan gjykatës që dënimi i shqiptuar në kohëzgjatje prej 6 muaj burgim të zëvendësohet me dënim me gjobë. Trupi gjykues, në përbërje të Ajser Skenderi, kryetare dhe Luan Berisha e Kymete Kicaj, anëtarë, duke marrë parasysh propozimet e mbrojtësve aprovuan propozimet e avokatëve mbrojtës. Meqë dënimi me burg u zëvendësua në gjobë, të akuzuarit Neshat Avdaj, Driton Bajrami e Muzafer Sulejmani, trupi gjykues i zëvendësoi dënimin me burgim, me dënim me gjobë në shumat prej 8 mijë euro. Për të njëjtit trupi gjykues iu shqiptoi dënim unik me gjobë, në shumën prej 12 mijë euro. Ndërsa të akuzuarit, Binak Bytyçi, iu shqiptua dënimi unik me gjobë, në shumën prej 13 mijë euro. Në fjalën përfundimtare, prokurori i shtetit, Mehdi Sefa, kishte theksuar se, edhe gjatë rigjykimit u vërtetua se i akuzuari Binak Bytyçi ka kryer veprën penale, marrja e ryshfetit.