Salim Jenuzi dhe Lulzim Rifaj – Të pafajshëm!

salim jenuzi pafajesiaDragash, 22 janar 2015 – Kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, si dhe ish-kryesuesi i Kuvendit të kësaj Komune, Lulzim Rifaj, aktualisht konsull i Republikës së Kosovës në Sofje, sot janë shpallur të pafajshëm nga Departamenti i Krimeve të Rënda pranë Gjykatës Themelore të Prizrenit. Vendimin e shpalli, Raima Elezi, kryetare e trupit gjykues. “Në emër të popullit, të akuzuarit, Salim Jenuzi dhe Lulzim Rifaj, nuk janë fajtorë për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës. Prandaj, trupi gjykues, bazuar në nenin 364, pargrafi 1 dhe nënparagrafi 1.3, ka nxjerrë aktgjykimin me të cilin i liron nga akuza të akuzuarit”, tha Elezi.
Në prononcimin që i dha ekskluzivisht Radio SHARRI-t, pak pas mbarimit të kësaj seance përfundimtare, kryetari i Dragashit, Salim Jenuzi, tha se ka qenë një vendim i drejtë dhe i pritshëm nga i, pasi, sic tha Jenuzi, këtu nuk ka pasur kurrfarë keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe as veprime për interesa personale. “Asnjë veprim nuk e kemi bërë për interesa personale. Ne kemi bërë më të mirën e mundshme në dobi të banorëve të komunës së Dragashit, për ç’gjë edhe kemi gëzuar mbështetjen e komunitetit që përfaqësojmë. Prandaj, ky vendim ishte më se i drejtë. Ne gjithnjë kemi besuar në organet e drejtësisë, prandaj edhe e kemi pritur një vendim të këtillë”, tha Jenuzi. Vendimin e gjykatës e përshëndeti edhe mbrojtja e të akuzuarve. Avokati i kryetarit Jenuzi, Ruzhdi Berisha, tha se të akuzuarit kanë vepruar drejt dhe, në mungesë të provave, të njëjtit janë shpallur të pafajshëm.“Pas një gjykimi maratonik, i cili është parë prej fillimit si i panevojshëm, gjykata mori aktgjykimin lirues, me të cilin dy të akuzuarit u liruan nga aktakuza”, tha Berisha. Ndërkaq, avokati i konsullit Rifaj, Fatmir Jëlliqi, i cili në fjalën përfundimtare kishte deklaruar para Trupit gjykues, se në këtë rast nuk mund të bëhet fjalë as për kundërvajtje se lërë më për vepër penale, sot shprehu kënaqësi për këtë vendim të gjykatës.
Ai tha se, që nga fillimi ka qenë optimist për vendimin që do të merrej sot. “Për fat të keq, z. Rifaj sot nuk ishte prezent në ditën e komunikimit të vendimit. Do të ishte mirë që të ishte këtu me ne për ta ndarë këtë gëzim”, tha Jëlliqi, duke paralajmëruar edhe mundësinë e kërkimit të kompensimit të dëmit për klientin e tij. “Me siguri që brenda ditës do të kontaktoj me të dhe, në qoftë se ai shpreh dëshirën për ndonjë kompensim eventual, pasi për t’i ndjekur seancat vinte që nga Bullgaria, ne jemi të gatshëm të iniciojmë procedurën”, tha Jëlliqi.
Ndryshe nga mbrojtja, prokurori i shtetit, Mehdi Sefa, i ka thënë portalit KALLXO, se është i pakënaqur me vendimin e gjykatës dhe ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën e Apelit. Prokuroria e shtetit i ngarkonte të pandehurit, se më 27 gusht 2009, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për tjetrin, i kanë shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi” në Dragash, e cila është nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Sipas aktakuzës, Salim Jenuzi, në cilësi të kryetarit të Komunës në Dragash, e ka urdhëruar drejtorin e Urbanizmit që të bartë pronën shoqërore, patundshmërinë në sipërfaqe prej 29.7 hektarësh, prej pronarit të ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi” në pronësi të Komunës së Dragashit. Më pas, këtë patundshmëri, Jenuzi ua ka dhënë në shfrytëzim blegtorëve, pa ndonjë bazë juridike.
Ndërkaq i akuzuari i dytë, Lulzim Rifaj, akuzohej se këtë bartje të pronës shoqërore e kishte vënë në rend dite të Asamblesë Komunale, duke i bindur deputetët që të marrin një vendim të tillë, edhe pse e kishte ditur se është në kundërshtim me ligjet pozitive në fuqi, pasi menaxhimi i pronës shoqërore, me ligj i përket AKP-së. Me këto veprime, të akuzuarit thuhej se u kanë mundësuar përfitim të kundërligjshëm material personave fizikë, në këtë rast blegtorëve, duke i shkaktuar dëm ndërmarrjes shoqërore “Sharr-Prodhimi”. Duke u bazuar në këto veprime, sipas Prokurorisë së shtetit, të akuzuarit kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës ose autorizimit zyrtar.

Leave a Reply