Zëvendëskomandanti i KFOR-it vizitoi Dragashin

salim jenuzi anton waldnerDragash, 18 mars 2015 – Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, priti sot në një takim zyrtar zëvendëskomandantin e KFOR-it, Anton Waldner, me të cilin bisedoi kryesisht për gjendjen e sigurinë në këtë komunë multietnike.
Jenuzi e falënderoi mysafirin për interesimin e tij që po tregon për Dragashin, ndërsa konfirmoi bashkëpunimin e mirë dhe të vazhdueshëm që kanë me KFOR-in. “E njoftova zëvendëskomandantin e KFOR-it me gjendjen e sigurisë në komunën tonë, e cila është e qetë dhe stabile, duke e vënë në spikamë se Dragashi mbetet shembull i tolerancës multietnike në Kosovë dhe jo vetëm”, tha Jenuzi për Radio Sharrin, në përfundim të takimit.
Nga ana e tij, zëvendëskomandanti i KFOR-it, Anton Waldner, e ka falënderuar kryetarin Jenuzi për pritjen si dhe për bashkëpunimin e mirë që e kanë më Komunën e Dragashit, siç tha, në të mirë të sigurisë së qytetarëve. “Në këtë takim e vlerësuam të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në këtë komunë, ndërkohë e falënderova edhe kryetarin Jenuzi për kontributin e tij për këtë gjendje, si dhe për bashkëpunimin e mirë që ka me ne”, tha Waldner për Radio Sharrin.

Leave a Reply