Lulzim Rifaj thotë se shkarkimi i tij ia kujton vitet e 90-ta!

Lulzim Rifaj thotë se shkarkimi i tij ia kujton vitet e 90-ta!

Prishtinë, 17 mars 2022 – Ish-konsulli në Konsullatën e Kosovës në Bullgari, Lulzim Rifaj, i cili është njëri nga të shkarkuarit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se është befasuar shumë me vendimin për shkarkim, duke e krahasuar këtë me shkarkimet e viteve të 90-ta që i bënte Serbia kundrejt shqiptarëve. “Një vendim i tillë mua më kujton vitet e 90-ta, kur na ka shkarkuar Serbia. Atë e kemi pritur në atë kohë kurse tash, për mua është vendim i pakuptimtë. Unë kam qenë i zgjedhur me konkurs dhe s’kam pasur asnjë vërejtje”, ka thënë Rifaj në emisionin “Info10” në TV “Kanal 10”.
Ministrja Donika Gërvalla i ka shkarkuar 11 zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me arsyetim se ishin punësuar pa iu nënshtruar procedurave ligjore. Në listën e të shkarkuarve janë edhe dy zyrtarë nga Dragashi, Lulzim Rifaj dhe Mitat Fejza. Por, Rifaj ka reaguar për këtë vendim, duke paralajmëruar edhe padi ndaj këtij dikasteri. “Një vendim i tillë, për mua është i pakuptimtë. Në konkurs kemi qenë në provim, intervista dhe jam pranuar në mënyrë të rregullt. Kam qenë dy mandate në Sofje, tani punoja në ministri pa asnjë vërejtje. Tani nuk po e dimë se çfarë po ndodhë. Unë jam shumë i përgjegjshëm në punë dhe nuk kam pasur asnjë mungesë. Por, ky vendim më erdhi vetëm në e-mail, pa asnjë paralajmërim”, thotë Rifaj.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, të mërkurën njoftoi për shkarkimin e 11 zyrtarëve të Shërbimit të Jashtëm. Për shkarkimin e tyre, MPJD-ja tha se ata janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në Shërbimin e Jashtëm. “Personat e liruar nga detyra janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në Shërbimin e Jashtëm, të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe as procedurave dhe rregullave të pranimit sipas Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, i zbatueshëm në kohën kur këta persona janë emëruar në Shërbimin e Jashtëm. Ata kanë hyrë dhe janë konsideruar anëtarë të Shërbimit të Jashtëm përmes vendimeve arbitrare. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e vendosur në zotimin e saj për vendosjen e ligjshmërisë në vend. Keqpërdorimi i parasë publike dhe punësimet e paligjshme nuk kanë vend në administratën publike dhe do të ndalen e luftohen me vendosmëri”, thuhet në njoftimin e Ministrisë. Por, Rifaj ka paralajmëruar se do t’i ndjek rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim. “Nuk e di se ka pasur shkelje. Pas 10 vjetësh punë të më largojnë, kjo nuk është e logjikshme. Unë edhe dy vjet dal në pension. Dy mandate kam qenë si konsull jashtë, tani dy vjet në ministri. Nuk kemi rrugë tjetër veç rrugëve ligjore. Jam i bindur se do ta fitojmë rastin”, paralajmëron Rifaj.