THJESHTËSIA!

THJESHTËSIA!

Shkruan: Mirela NASI


• Koha dhe emocionet… Dy perlat më të çmuara të njeriut, ku në bosht kanë prejardhjen dhe trashëgiminë tonë, si një larmi ngjyrash. Një kombinim i natyrës (gjeneve), rritjes dhe përkujdesjes… Jo thjesht tiparet e jashtme apo një mbiemër!
Ndihemi të rrezikuar nga fati që jemi pjesë të trashëgimisë së prindërve tanë, si ART në vete. Në sytë tanë ata janë thesar i një kulture të pasur dhe frymëzuese… Janë dashuria, durimi, mirësia, shembulli i mirë… Janë ajka e thjeshtësisë së tyre, në shpirt dhe karakter, janë rrezatim i bukurisë dhe mençurisë, motivi ynë për të qenë të aftë në jetë, zot të vetvetes dhe familjes… Janë pasqyrim, model i krenarisë me emërues bukurinë e thjeshtësisë! Dhe, sot në binarët e jetës së përditshme, s’di pse u pluhuros treguesi më domethënës i shpirtit njerëzor! Thjeshtësia… Kjo cilësi madhështore, ku të gjithë e vlerësojnë por, mjerisht e shpërfillin. Sa keq që në opinionin publik ekziston vija ndarëse deri në ekstrem. Vijë kjo e një stadi të ulët formimi dhe zhvillimi, e që e marrin këtë virtyt si dobësi dhe mit të prapambetur!
Kultura e prindërve tanë na ka edukuar që, prioritet në mendje, shpirt e zemër, ta kemi thjeshtësinë! Por, sërish keqardhje sepse epoka të cilën po e jetojmë, na përball me një barrierë. Me lloj-lloj njerëzish, të cilët i etiketojnë njerëzit e thjeshtë si fantazues dhe jashtë mode. Ky “kallaballëk” llumi i mburravecjes, i veshur me petkun e arrogancës, mizorisht ka zhveshur vlerësimin e njeriut, si karakter, duke ia zbehur deri në zhdukje, shenjat fisnike të thjeshtësisë!

Zoti nuk sheh fytyrën, por zemrën!

Ne jemi popull që e kemi të trashëguar, që në gjenezë, thjeshtësinë, duke ua përcjellë brezave, që nga ninullat e trimërisë në djep e deri tek rrugëtimi i dijes dhe përballjes me jetën. Njeri i thjeshtë është ai që ka mendje të shëndoshë, është i ndjeshëm dhe arrin të shkëputet nga kjo çoroditje masive! Është, ai që i vlerëson gjërat e thjeshta, që mendon dhe vepron pa komplikime dhe që kënaqet me atë që ka. Thjeshtë, është vetvetja. Thjeshtësi do të thotë të dish të harmonizosh karakterin me dukjen tënde, pa kapërcyer në kufijtë që i ke vënë vetes. Njeriu që di të vetëkufizohet, duke gjetur kënaqësi në përmbushjen e synimeve të tij, pa i cenuar të tjerët, ai është njeri i thjeshtë. Sepse, thjeshtësia nuk është përkufizim i një rrethi sipërfaqësor, një veshjeje, mbulese apo një çati kasolleje mbi kokë… Ai merr ngjyrim perceptues dhe real në gjërat më intime, natyrale në sjellje, në stil dhe në identitet… Është i bukur në shpirt dhe në karakter. Thjeshtësi do të thotë edhe një shtrëngim miqësor duarsh, një buzëqeshje dhe shpatull për dikë që ka nevojë për prehje, një kryqëzim shikimesh që joshin njëri-tjetrin, që dinë të falin… Thjeshtësia përcjell energji pozitive, pastërti dhe dashuri pa kushte, pa kërkuar asgjë në këmbim! Thjeshtësia si karakter, nuk pranon lëmoshë nga të tjerët dhe as nuk mburret me të mirat që ka.
Jam e bindur se, një ditë, ajo do ta merr vlerësimin nga publiku i formuar mirë, i edukuar, i arsimuar dhe i kulturuar. Mbase do të presim shumë gjatë, por ajo ditë do të vijë. Do të vijë dita kur njeriu do të bëhet i thjeshtë. Ai që do të qajë e do të qesh me ty. Njeriu që do të të gjendet pranë, të të dëgjojë dhe të të kuptojë pa të bërë që të ndihesh me turp. Përkundrazi, do të të mbështesë dhe do të të dhurojë dashuri, pa kufizim. Por, sa keq që sot jemi zhytur në vetëkënaqësi. Kemi humbur në këtë ndjesi dhe jemi ngurtësuar. E kemi humbur vlerësimin për këtë virtyt të lartë njerëzor, duke u bërë protagonistë të një rrëmuje, një lufte për arritje personale, pa e vërejtur se i kemi zvogëluar vlerat e të qenit i thjeshtë. Mirëqenia ekonomike personale, s’ka përse të bëhet ngërçi ynë, për të qenë njeri i thjeshtë!
Seç kam përshtypjen që, ndarja e shoqërisë në kategori ekstreme, të pasur e të varfër, nxit edhe më shumë oreksin për t’u dukur, duke reflektuar në publik si qenie e tjetërsuar dhe karakter prej mburraveci. Por, krenaria e tepruar për t’u ulur a ngritur për hir të zakonit, për sy të publikut apo diçka tjetër, na nxjerr jashtë vlerësimit objektiv të asaj që, realisht jemi.
Njerëzit, totalisht të ndërlikuar, po bëhen therrë, për ata që duan ta ruajnë cilësinë e njeriut të thjeshtë, Po synojnë të qasen kudo, duke na bindur se, sjellja e tyre është moderne dhe dukuri bashkëkohore. Nuk jam për atë që t’i kufizohet jeta dikujt që ka fuqi ekonomike. Por, jam për atë që të ruhet vlera shpirtërore e njeriut… Thjeshtësia! Sepse, thjeshtësia është bukuri, dije, zgjuarsi, vizion, liri dhe vlerësim! Ajo e bën qenien tonë të njihet si NJERI. Qenia jonë arrin në shkallën kulmore, kur brenda nesh ekziston karakteri dhe shpirti modest dhe dukja jonë!
I vetmi çelës për të qenë në paqe dhe lumturi me veten dhe të tjerët, është THJESHTËSIA! Nëse e ke këtë tregues pozitiv , gjithmonë je dhe do të mbetesh i vlerësuar pozitivisht!

(Autorja është mësuese e gjuhës shqipe, në shkollën “Naim Frashëri”, ku mësimet i ndjekin mërgimtarët tanë në Itali. Pikëpamjet e shprehura në këtë opinion, nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe pikëpamjet e redaksisë sonë)